Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat e vendvotimit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë do të bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore.
Valmir Elezi, zëdhënës për media i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në lidhje me këtë çështje tha se kamerat do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë e pranishme kabina e votimit në qendrat e votimit në Kosovë.
Derisa sipas Elezit ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë me kohë të përkohshme deri tek shkatërrimi i materialit zgjedhor.
“Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullësi me qëllim që t’iu ofrohen institucioneve ligjzbatuese”, thekson Elezi.“Në ditën e zgjedhjeve, KQZ nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese”, potencon ai.
Në mbledhjen e sotme, anëtari i KQZ-së Arianit Elshani paralajmëroi komisionarët dhe anëtarët e tjerë që do të marrin pjesë në procesin e zgjedhjeve, se në çdo klasë do të ketë kamera të vëzhgimit dhe se çdo veprim që mund të rrezikojë apo cenojë procesin zgjedhor do të ndiqet penalisht.
https://kosovapress.com/admin/zgjedhjet-e-9-shkurtit-ne-vendvotime-do-te-kete-kamera-vezhgimi/