Sindikatat e pavarura në vend shprehen skeptike nëse do të zbatohet nga muaji shkurt Ligji i ri i pagave për punëtorët e sektorit publik.
Sipas tyre nuk ka informacione nëse pagat do të dalin sot sipas koeficientit të ri ose jo.
As në Ministrinë e Financave nuk janë përgjigjur për KosovaPress se a do të ekzekutohen sot pagat.
“Sipas praktikave të deri tanishme sot është dita e fundit kur duhet të dalin pagat për të punësuarit në sektorin publik. Por, jemi pak të befasuar për arsyeje se zakonisht pesë ditë para se të lëshohen pagat janë sjellë gjithmonë listat e pagave, kurse në këtë rast nuk kemi ende të dorëzuara listat e pagave, çka në këtë rast ka krijuar një lloj konfuziteti lidhur me këtë. Por, shpresoj të lëshohen pagat sot, për arsyeje se të punësuarit në sektorin publik janë të varur nga këto paga dhe kanë obligime, duke llogaritur që jemi edhe në sezonën e dimrit... Rrjedhimisht ne nuk e dimë edhe si do të veprohet, sa do të jenë pagat, nëse do të jenë me rritje ose jo, është e mjegulluar kjo situatë dhe nuk kemi asnjë informacion të saktë si do të jenë pagat, kjo është shqetësuese për neve ", tha Gashi.
“Jo, ne kemi qëndrimin tonë zyrtar dhe konsistent, ne nuk jemi të kënaqur me vlerën e koeficientit të përcaktuar nga ana e qeverisë dhe konfirmojmë prapë se kjo vlerë e koeficientit është bërë pa konsulta, me asnjë faktor te brendshëm. Ka qenë një vendim i njëanshëm i qeverisë, duke mos marrë për bazë edhe gjendjen e rënduar ekonomike dhe gjendjen me inflacion në Kosovë”, shtoi ai.
Edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj shprehet i shqetësuar ndaj ekzekutimit të pagave me ligjin e ri. Sipas tij, ekziston mundësia që qeveria mos ta mbajë fjalën dhe pagat të dalin pa rritje.
Ndërsa i pyetur nëse janë të kënaqur nëse ekzekutohen pagat me ligjin e ri, ai tha se janë pjesërisht të kënaqur.
“Jemi pjesërisht të kënaqur, ngase ne kemi pritur një vlerë krejt tjetër dhe kemi thënë publikisht 120. Një pjesë kur jemi deklaruar për 105 e kanë lexuar se ne jemi pajtuar, mirëpo nuk jemi pajtuar dhe nuk kemi pas se si, sepse askush nuk na ka pyet fare për asnjë shifër”, tha mes tjerash Jasharaj.
“Pra, është dita e fundit e muajit dhe realisht është dashur të ekzekutohen, mirëpo nuk jemi në dijeni nëse do të ekzekutohen dhe po ashtu nuk e dimë nëse do të jenë me ligjin e ri apo me formën siç ka qenë më herët, për shkak se ka shumë thashetheme, pasi nuk janë informacione të sakta asnjëra nga ato që deri me tani kam pranuar. Se do të ekzekutohen me rrezikshmëri apo pa rrezikshmëri për Policinë e Kosovës nuk e kemi këtë informacion. Dhe ky ka qenë shqetësimi ynë si sindikatë që rrezikshmëria të Policia e Kosovës mund të hiqet nga dikush por rreziku i policit nuk mund të hiqet, sepse profesioni i policit është i tillë, sepse në çdo moment mund t’i rrezikohet jeta, ngase puna është e tillë, jemi institucion i sigurisë... Por, të gjithë jemi në pritje të shqetësuar se çfarë po ndodh me pagat me Policinë e Kosovës”, tha Zeqiri.
Zeqiri mes tjerash tha për KosovaPress se nuk janë të kënaqur edhe nëse pagat ekzekutohen me ligjin e ri.
Kujtojmë se, deputetët e Kuvendit të Kosovës javë më parë kanë miratuar në lexim të dytë Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023, që i hap rrugë ekzekutimit të pagave në sektorin publik me koeficientin në vlerë prej 105 eurosh.
Ndërkaq, zyrtarët qeveritarë më 1 shkurt patën deklaruar se kjo vlerë e koeficientit do të ndryshojë në vitin 2024, dhe nga janari i vitit tjetër do të jetë 110 euro. /E.Krasniqi/