Ekspozita e legjendarit të futbollit italian vjen në Prishtina Mall
Lexohet për: 7 min.
IMG_6249
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Sot është bërë inaugurimi i njërës ndër ekspozitave më të veçanta në Kosovë - “Paolo Rossi a Golden Boy”, dedikuar futbollistit më të njohur italian të të gjitha kohërave Paolo Rossi.

Hapja e kësaj ekspozite kushtuar legjendarit të madh të futbollit italian u mundësua falë bashkëpunimit me Prishtina Mall dhe Ambasadën Italiane në Kosovë, Institutin Italian të Kulturës së Tiranës, gjithashtu përgjegjës për Kosovën dhe "La Mela Holding Group", me qëllim të forcimit të raporteve mes dy vendeve.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, tha se kjo ekspozitë do të rikthejë momentet më të rëndësishme të jetës së legjendarit Paolo Rossi, qe nga fillimet e karrierës e deri te titulli i botërorit në futboll.

Ai tha se Paolo Rossi u shndërrua në burim frymëzimi për të gjithë ata që ëndërrojnë qëllimet e mëdha në karrierë. 

"Ekspozita do të rikthejë momentet më të rëndësishme të jetës së Paulinos siç e quanin dikur, që nga fillimet e tij deri te fitimi i titullit të kampionit të botës dhe jeta private këtu të kujtimeve që janë relikte virtuale, fanellave origjinale, fotografive të kohës, intervistave, topit të artë dhe këpucës së artë, të gjitha të fituara në vitin 1982. Përtej sukseseve të arritura në fushën e lojës me fanellën e kaltër dhe ekipet kryesore ku ka luajtur, Lane Rosse Vicenca dhe Juventus, Paolo Rossi ka mishëruar thelbin e sportit, këmbënguljen, qëndresën dhe vullnetin për të kapërcyer të gjitha pengesat që i kanë dalë përpara në jetë...Pas çdo kampioni të madh fshihet një histori epike që ndërlidhet me vendosmërinë, talentin, sakrificën, siç është rasti i jetës së Paolo, që arriti të bëhej një legjendë e pavdekshme e botës së futbollit dhe një burim frymëzimi për ata që ëndërrojnë të arrijnë qëllime të mëdha në jetën e tyre", tha De Riu.

Bashkëshortja e futbollistit legjendar italian, Federica Cappelletti, tregoi rëndësinë e hapjes së kësaj ekspozite si pjesë e thellimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm ndërmjet Kosovës dhe Italisë.

Përveç si futbollist të jashtëzakonshëm, ajo e përshkroi bashkëshortin e saj si një njeri me shpirt dhe dashuri të madhe. 

"Përmes kësaj ekspozite, ideja jonë është lidhjet mes shteteve tona t'i bëjmë edhe më të afërta, sepse Paolo Rossi njihet si zemra e Italisë. Pra, që t'i bëjmë këto lidhjet tona të përbashkëta me zemër...Kam pasur rastin që për një kohë të gjatë të jem edhe shoqe e jetës së Paolo Rossit. Paolo Rossi ka qenë jo vetëm një futbollist i jashtëzakonshëm, por ka qenë edhe një njeri me shpirt dhe dashuri të madhe. Unë dua që këtë ta shpreh sot tek ju, meqë ai nuk është këtu sot... Mesazhi i kësaj ekspozite është të shënojë atë që është e rëndësishme mes njerëzve, lidhja, komunikimi, dashuria mes njerëzve, që pa qenë të gjithë bashkë kjo nuk arrihet", u shpreh Cappelletti.

Drejtori i Marketingut në Prishtina Mall, Armend Susuri u bëri thirrje entuziastëve të futbollit dhe atyre që e duan historinë që ta vizitojnë ekspozitën pasi ajo është tejet e rëndësishme.

"Është një ekspozitë shumë interesante edhe unë i kisha ftuar të gjithë entuziastët e futbollit, por edhe ata që e duan historinë të vijnë , të shohin diçka interesante, diçka unike për vendin tonë dhe të kënaqen në Prishtina Mall...Për ne është shumë më rëndësi, sepse ne si qendër tregtare nuk e kemi fokusin vetëm te moda, edhe pse kemi shumë brende të njohura botërore dhe vendore. Tani së fundmi është hapur "Fashion and Friends', brenda dy javësh do të hapet edhe New Yorker...Jemi në bisedime edhe me shumë brende të njohura botërore që do të vijnë në Prishtina Mall. Po ashtu, Hiperaktiv-in, qendrën e argëtimit diku mbi 12 mijë metra katrorë. Kemi kinemanë më moderne me filma më të rinj botërorë. Mirëpo, ne i japim rëndësi edhe artit dhe kulturës...Kjo ekspozitë është në vazhdën e këtyre aktiviteteve të rëndësishme që i bëjmë për vendin, biznesin, por pse jo për kulturën dhe sportin”, tha Susuri.

Një fjalë rasti në këtë ekspozitë mbajti edhe legjenda tjetër e futbollit italian Salvatore Schillaci, i cili u shpreh i lumtur dhe krenar se kishte pasur rastin të njihte Paolo Rossin si një legjendë e vërtetë e sportit që jeton edhe sot.

"Në jetë e kam pasur një ëndërr të madhe, atë që të bëhesha futbollist. Por kurrë nuk më ka shkuar mendja që një ditë do ta veshë fanellën e kaltër të Italisë. Dhe mbi të gjitha të arrij ta njoh personalisht Paulinon. Kurrë në jetë, as mendja nuk më ka shkuar. Çfarë mund t'iu them (për Paulinon)? Një djalë diellor, i buzëqeshur, gjithmonë i hareshëm. Edhe unë me batutat e mija e bëja të qeshë... Ikja e tij, jo që më ka lënë keq, por sikur më ka marrë një pjesë me vete...Këtu po flasim për një legjendë, për një mit dhe është shumë pozitive që kjo ekspozitë vazhdon të lëvizë nëpër botë, sepse iu tregon njerëzve se kush ka qenë Paulo Rossi", tha Schilliaci.

Kuratori i ekspozitës, Marko Schembri tha potencoi se fanellat e futbollistëve të mëdhenj të cilat janë të ekspozuara në këtë ekspozitë janë të nënshkruara me një dedikim për legjendarin Paolo Ross.

"Kjo ekspozitë ka lindur në Itali më emrin Paulo Rossi një djalë i artë, një djalë flori. Sepse fjala 'Paulo' dhe 'Rossi' në qendër e formojnë fjalën 'Oro' që në shqip do të thotë 'ari'. Paolo Rossi është i vetmi lojtar italian në botë që i ka fituar të gjitha çmimet e arta, Këpucën e artë, Topin e Artë, të gjitha çmimet dhe në fund Kupën e Botës, që është çmimi kryesor në futboll...Fanellat e futbollistëve më të mëdhenj, të gjitha janë të nënshkruara me një dedikim për Paolo Rossi”, tha Schembri.

Në veçanti, ekspozita synon të krijojë, përmes kornizave, paneleve, printimeve, totemeve, banderolave, kutive, monitorëve dhe tabelave të njoftimeve, një udhëtim nga fillimi deri te trashëgimia me mbi 500 artefakte unike, duke përfshirë trofetë më të rëndësishëm:

Falë Muzeut të FIFA-s dhe disa prej koleksionistëve më të rëndësishëm në botë, ekspozohen gjithashtu një sërë objektesh unike si këmisha, çizme, tuta, topa, foto, dokumente, çmime dhe medalje që u përkasin legjendave më të mëdha të futbollit botëror, duke përfshirë bluzat e të gjithë 47 fituesve të Topit të Artë nga viti 1956 e deri më sot.

Duke vizituar ekspozitën mund të shihni kujtime që i përkasin futbollistë të famshëm botërorë: Maradona, Pelè, Alfredo di Stefano, Gerd Muller, Giuseppe Meazza, Mazzola, Bobby Charlton, George Best, Falcao, Yashin, Puskas, Beckenbauer, Cruyff, Dino Zoff, Stoichkov, , Roberto Baggio, Yashin, Paolo Maldini, Franco Baresi, Van Basten, Platini, Ronaldo, Cristiano Ronaldo, Messi, Zidane, Neymar, Sergio Ramos, Raul Gonzales, Ibrahimovic, Figo, Eusebio, Buffon, Cannavaro, Totti, Pirlo, Luka Modric , Mbappe, Haaland, Guardiola, Ancellotti, Mancini, Lippi dhe shumë të tjerë.

Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët çdo ditë nga ora 10:00 deri në 22:00 deri më 1 qershor 2024. /KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024