Ekspos Deçani mbledh shumë biznese nga vendi e rajoni
Lexohet për: 3 min.
449350049_3286970994944588_2194554624474545037_n
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Shumë biznese nga vendi dhe rajoni, duke përfshirë Ulqinin, Pukën dhe Lezhën, kanë marrë pjesë në panairin tradicional veror “Ekspos Deçani”, edicioni i trembëdhjetë i të cilit u organizua sot nga Komuna e Deçanit.

Në hapjen e këtij panairi, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj u shpreh i lumtur që përmes këtij aktiviteti janë bërë bashkë bizneset.  Ai falënderoi Ulqinin, Lezhën dhe Pukën për pjesëmarrje në këtë panair, për çka tha se edicion pas edicioni po shënon rritje.

“Unë jam tepër i lumtur që Deçani kohë pas kohë di t’i bashkojë njerëzit të qyteteve të tjera që po ashtu janë shqiptare. Dhe jam tepër i lumtur se me neve e kam kolegun e Ulqinit, kolegun nga Puka, kolegun tjetër nga Lezha, kur përfaqësojnë edhe me prezencën në panair që ia shtojnë vlerën këtij panairi…Edicion pas edicioni po shkon duke u rritur ky panair…I falënderoj të gjitha kompanitë të cilat na janë nderuar me praninë e tyre në këtë panair”, tha Ramosaj.

Kryetari i Ulqinit, Genci Nimanbegu potencoi se lidhja me Deçanin është ngritur në  mënyrë institucionale dhe e konsiderojnë si obligim të ndihmojnë në organizimin e aktiviteteve të tilla turistike dhe ekonomike në Kosovë.

“Marrëdhëniet tona janë ngritur në mënyrë institucionale dhe ne këtu kemi edhe me organizatën turistike. Kemi marrë stendën, përvoja e zhvillimit të turizmit të Ulqinit mund të përdorohet edhe në qytetin tuaj. Por, është më e rëndësishmja, ne çdo herë duam të shfrytëzojmë rastin, ofertën tonë turistike t’ua prezantojmë kosovarëve…Po ashtu, ne e kemi obligim t’iu ndihmojmë në çdo aktivitet ekonomik dhe turistik tuajin. Prandaj këtë panair e çmojmë vetëm si aktivitet u mirëfilltë turistik/ekonomik dhe si gjithmonë do të vazhdojmë me aktivitete të tjera kulturore…Ne e dimë që ofertat turistike të Kosovës çdo herë e me tepër pret edhe qytetarët nga Ulqini dhe zonat tjera”, theksoi Nimanbegu.

Nënkryetari i Bashkisë së Pukës, Ferid Ringaj u shpreh falënderues për mundësinë e pjesëmarrjes në këtë panair shumë domethënës sipas tij.  Ai tha se hapja e këtij panairi është një ditë e veçantë pasi bashkon shumë biznesmenë.

“Faleminderit për mundësinë qe na dhatë të marrim pjesë në këtë aktivitet shumë domethënës, në këtë panair që bashkon shumë biznesmenë dhe shumë personalitete që ushtrojnë aktivitetet e tyre në fushën e turizmit. Dhe ne si bashki duke qenë falënderues kemi marrë pjesë duke qenë këtu prezentë me disa produkte, me një stendë në panairin që e keni organizuar. Është vërtetë një ditë e veçantë dhe e bukur me promovimin e vlerave dhe resurseve që ka zona…Takime të tillë promovuese vlejnë shumë për të gjitha trevat shqiptare të organizohet në çdo zonë pasi që çdo zonë ka specifikat dhe resurset e veta”, tha Ringaj.

Ndërkaq, këta të fundit u dekoruan me mirënjohje nga Komuna e Deçanit me motivacionin për mbështetjen dhe përkrahjen për organizimin e këtij panairi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024