Kundërofensiva e Ukrainës në pjesën verilindore të vendit duket se e kapi Rusinë në befasi në luftën gati 7 mujore. Tërheqja e shpejtë dhe kaotike e trupave në rajonin e Kharkivit, në të cilën disa armë dhe municione u lanë pas, ishte një goditje e madhe për imazhin rus. Kjo ishte humbja më e madhe ushtarake në Ukrainë që kur Moska tërhoqi forcat e saj nga zonat afër Kievit pas një përpjekjeje të dështuar për të pushtuar kryeqytetin në fillim të pushtimit.
Ofensiva ukrainase duket se ka lënë Kremlinin dhe Presidentin Vladimir Putin pa një përgjigje adekuate. Kjo ka zemëruar blogerët dhe nacionalistët ushtarakë rusë, madje ka ekspozuar disa përçarje të brendshme politike.
Në të vërtetë, kundërofensiva ukrainase duket se e ka vënë Kremlinin në një pozitë të vështirë.
Ministria e Mbrojtjes deklaroi se tërheqja e trupave kishte për qëllim forcimin e pozicioneve ruse në Donbas, një justifikim disi i dobët, duke patur parasysh se zonat e kontrolluara nga Rusia në rajonin e Kharkiv-it siguruan një pikë kyçe të favorshme për operacionet e Moskës në rajonin jugor të Donetskut.
Televizioni shtetëror rus dhe media të tjera të kontrolluara nga qeveria ndoqën shembullin, duke mos folur drejtpërdrejt për tërheqjen e trupave ruse.
Një video e publikuar nga ministria ruse e mbrojtjes tregoi një helikopter rus duke sulmuar trupat ukrainase që po përpiqeshin të kalonin lumin Oskil në një pjesë më parë të qetë në rajonin e Kharkivit, një pranim e shkallës së gjerë të sulmit ukrainas.
Ofensiva e re ukrainase, e cila ka rritur moralin e vendit ndërsa lufta kaloi ditën e 200 të dielën, mund të krijojë kushtet për përparim të mëtejshëm në lindje dhe gjetkë.
Por, ajo gjithashtu mund të shkaktojë një përgjigje edhe më të dhunshme të Moskës, duke çuar në një përshkallëzim të ri dhe të rrezikshëm të luftimeve. Të dielën mbrëma, raketat ruse goditën infrastrukturën ukrainase, duke shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike në disa rajone.
Sipas tij, situata duket se po del jashtë kontrolllit të Moskës.
Në një pasqyrim të ashpër të tensioneve të brendshme të provokuara nga sukseset e Kievit, udhëheqësi rajonal i Çeçenisë, i mbështetur nga Kremlini, Ramzan Kadyrov, kritikoi hapur Ministrinë Ruse të Mbrojtjes për "gabimet" që bënë të mundshëm përparimin e Ukrainës.
Në anën tjetër, politikani liberal Boris Nadezhdin paralajmëroi në kanalin “NTV” se Rusia nuk do të jetë në gjendje të mposht Ukrainën dhe bëri thirrje për negociata.
Komentet e zotit Nadezhdin duket se pasqyrojnë dyshimet në rritje në disa qarqe të zyrtarëve rusë për të ardhmen e operacionit ushtarak në Ukrainë dhe mund të jenë pjesë e përpjekjeve për të nxitur ndryshime të mundshme të politikave.
Ukraina ka bërë një mobilizim të gjerë me synimin për të arritur krijimin e një ushtrie aktive me 1 milion luftëtarë. Rusia ka vazhduar të mbështetet në një kontigjent të kufizuar vullnetarësh, nga frika se një mobilizim masiv mund të nxisë pakënaqësi më të gjerë dhe të shkaktojë paqëndrueshmëri politike.
Rusia nuk është shprehur mbi numrin e trupave të saj të përfshira në luftë, por bazuar në vlerësimet e vendeve perëndimore, në fillim të luftës Kremlini kishte planifikuar dislokimin e mbi 200,000 ushtarëve rusë në Ukrainë. Zyrtarët perëndimorë thonë se rekrutimi i vullnetarëve të rinj dhe përdorimi i kontraktorëve ushtarakë privatë nuk arritën të kompensonin humbjet e mëdha në betejë.