Brenda pesë viteve të ardhshme në Kosovë planifikohet të ndërtohen dhe rinovohen 27 stadiume, duke përfshirë edhe stadiumin nacional.
Ky është plani që ekskluzivisht për KosovaPress, e ka zbuluar ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku. Ai ka thënë se është arritur marrëveshja me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), UEFA-n, FIFA-n dhe 16 komuna të Kosovës për zbatimin e këtij projekti në mënyrë që Kosova të jetë gati me infrastrukturë sportive për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Nga ky projekt, me stadiume të rinovuara ose krejtësisht të reja pritet të bëhen shumë komuna, si Prishtina, Prizreni, Gjilani, Peja, Gjakova e Ferizaj.
“Si obligim në raport me Lojërat Mesdhetare, ne jemi zotuar për ndërtimin e stadiumit nacional të Kosovës dhe ky stadium tashmë do ta kalojë fazën e një studimi dhe një masterplani për të gjitha lojërat ku përcaktohet lokacioni, kapaciteti, për stadiumin nacional të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj, kemi nisur me procedurat për ndërtimin e stadiumit të ri në Bërnicë, në Prishtinë, do të jetë një stadium ndihmës për nevojat e klubeve të kryeqytetit të Kosovës. Në Pejë, shkojmë me renovim total të stadiumit të qytetit ‘Shani Haxhiislami’... Në Ferizaj, çështja është pak më specifike, nuk e kanë një stadium të dinjitetshëm qyteti i Ferizajt. Edhe aty ministria e ka të kontraktuar në operator që po e bën studimin e fizibilitetit, pra për përcaktim të lokacionit si hap i parë dhe në momentin që përcaktohet lokacioni, do ta hartojë projektin zbatues për stadiumin e ri të Ferizajt... Renovimi i stadiumit të qytetit në Gjakovë që është një projekt ku kontribuon edhe Komuna e Gjakovës... Me ‘Përparim Thaçin’ në Prizren një fazë e kemi përfunduar dhe tashmë ka mbetur vetëm faza e fundit që e funksionalizon në tërësi stadiumin e qytetit ‘Përparim Thaçi’ në Prizren”, shpjegoi Çeku.
“Në Shtime, ka nisur procedura për kontraktimin e operatorit që do ta bëjë renovimin e stadiumit të qytetit në Shtime, ndërsa njëjtë do të jemi edhe me stadiumin e ri të Rahovecit... Në Drenas është në vazhdimësi ndërtimi i stadiumit të Drenasit. Edhe aty po shohim mundësinë e mbështetjes financiare për komunën që ta përfundojmë sa më shpejtë këtë stadium. Për të vazhduar me stadiume të tjera lokale, është stadiumi i Pozharanit në Viti, është stadiumi i qytetit në Malishevë ku po e bashkëfinancojmë me komunën dhe është projekt që është duke u realizuar edhe premtimi i operatorit është që deri në fund të vitit përfundon edhe ndërtimi i stadiumit në Malishevë dhe funksionalizohet në tërësi në shërbim të sportistëve. Me Suharekën dhe ekipin tonë kampion dhe të sukseseve ndërkombëtare, Ballkanin, tashmë diskutimet janë intensifikuar me kryetarin e komunës për përcaktimin e lokacionit”, tha Çeku.
Sa i përket stadiumit nacional, i pari i MKRS-së, zbuloi se ndërtimi i tij ishte kërkesë specifike e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
Sipas Çekut, kostoja për ndërtimin e stadiumit nacional do të jetë shumë e lartë dhe se për këtë janë duke kërkuar fonde edhe nga shtete të tjera.
“Kostoja do të jetë e madhe sepse po flasim për stadiumin me kapacitetin më të madh, po besoj unë, të Kosovës dhe në këtë kuptim ne do të kërkojmë edhe burime të tjera të financimit. Pra, jemi dakorduar brenda qeverisë edhe me ministrin e Financave që të synojmë të sigurojmë fonde edhe nga shtete të tjera edhe nga burimet alternative që ta mbulojmë më lehtë koston e ndërtimit të stadiumit nacional të Kosovës... Ligji i ri i sportit e trajton në mënyrë të veçantë çështjen e menaxhimit fasiliteteve sportive në vendin tonë. Tashmë jemi në fund të diskutimit, janë disa modele që janë propozuar, sepse kemi parë se si e bën bota këtë punë që të mësojmë nga përvojat e tyre, pak e kemi parë se si ka qenë përvoja jonë, përgjithësisht jo e mirë, me shumë telashe, shpesh barra iu lihet vetëm komunave, raste federatave ose klubeve dhe kjo shkakton kosto të madhe, paaftësi menaxhimi dhe ne nuk e kemi sot një model të qëndrueshëm për menaxhimin e këtyre fasiliteteve sportive”, tha Çeku.
“Dikush po thotë që 6-7 vite janë larg sepse nganjëherë kjo çështja e Lojërave Mesdhetare, pak edhe me humor, po interpretohet si diçka e largët e po shihet si një angazhim që vjen dikur më vonë, është e kundërta. Unë mendoj që koha ndoshta nuk është e shkurtër, por çdo ditë duhet punuar për ta arritur targetin e 2030-s sepse nuk po flasim vetëm për stadiume të reja. Ne jemi zotuar në kontratën që e kemi me ICMG-në që do të ndërtojmë të paktën katër fusha të tjera infrastrukturore të sportit dhe njëra nga ato është edhe kompleksi i pishinave olimpike të Kosovës, prapë një ndërmarrje shumë e madhe, jo vetëm në kuptimin e kostos por edhe të kompleksitetit të ndërtimit sepse edhe aty janë standardet shumë rixhide ndërkombëtare... Unë besoj që nëse jemi të mobilizuar të gjithë bashkë do ta arrijmë edhe targetin për ta konsoliduar infrastrukturën fizike sportive, por po aq e rëndësishme është edhe kapaciteti organizativ”, tha Çeku.
Infrastruktura që do të ndërtohet brenda këtyre pesë viteve dhe organizimi i Lojërave Mesdhetare, sipas Çekut, do të shërbejë për promovim të jashtëzakonshëm të sportistë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.