“Ekonomia kreative në perspektivë”, Hajdari: Klima e të bërit biznes është përmirësuar dukshëm
Lajme
Lexohet për: 3 min.
rozeta-me-panelin
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Të rinjtë janë më kreativ sesa vetë politikat qeverisëse dhe se kreativiteti historikisht ka qenë një mënyrë për adresimin e sfidave. Kështu u tha në panelin diskutues të ministrave “Ekonomia kreative në perspektivë”, e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari tha se industria kreative në Kosovë është shumë dimensionale falë rinisë që po kontribuon në këtë.

Ajo tha se ky sektor i ekonomisë kontribuon në rritjen ekonomike dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare në fushën e kulturës.

Hajdari potencoi se ka filluar strategjia për specializim të mençur që zbulon katër shtyllat që sjellin më shumë kreativitet.

Ajo theksoi se Kosova është lidere në Ballkanin Perëndimor për industrinë kreative, derisa shtoi se klima e të bërit biznes është përmirësuar dukshëm.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci potencoi se kreativiteti historikisht ka qenë një mënyrë për adresimin e sfidave.

Ajo tha se nxënësit dhe studentët janë më kreativ sesa vetë politikat e qeverisë.

Në kuadër të këtij paneli, Nagavci tha se kanë përpiluar programe të ndryshme me partnerët dhe organizatat e shoqërisë civile që të zhvillohen shkathtësitë e buta që nga moshat më të hershme.

Nagavci përmendi se janë punësuar këshilltarë për karrierë nëpër shkolla për nxënësit nga klasa e 6 deri në klasën e 9.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se janë bërë disa ndryshime në ligje, duke përfshirë atë për Kinematografinë, për çka tha se mbështetja shtetërore tashmë shkon deri në 90 ose 100 për qind të vlerës së realizmit të filmave.

Përveç kësaj, ai tha se në kuadër të Ligjit të ri për Artin dhe Kulturën po punohet me një vizion të ri zhvillimore.

Çeku potencoi se financimi për kulturë në rajon është në rënie, përderisa në Kosovë po shënon rritje.

Pjesë e panelit diskutues ishte edhe ekspertja në fushën e ekonomisë kreative nga UNDP, Gokçe Dervishoglu Okandan. Ajo tha se kontributi i qeverive në këtë fushë është relevant, derisa potencoi se ka dallime sa i përket ekonomisë kulturore apo politikave në gjithë botën, sepse sistemet qeveritare janë të ndryshme.

Ndërkaq, drejtoresha e Future by Lund nga Universiteti i Lundit, Charlotte Lorentz Hjorth tha se Bashkësia Evropiane viteve të fundit e ka njohur kulturën kreativ dhe financimet për hulumtimet dhe inovacionet brenda fushës së industrisë kreative.

Ajo shtoi se të gjitha përpjekjet në këtë fushë janë bërë që të kenë një inovacion të disiplinave të ndryshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024