Ekipi i Universitetit të Prishtinës fiton Çmimin ‘Butterfly’ për Inovacionin Universitar në Sofje
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Një dorë robotike e zhvilluar në Departamentin e Mekatronikës në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës fitoi çmimin ‘Butterfly Innovation’ për inovacionin universitar në një ceremoni të mbajtur në Sofje.

Ceremonia u mbajt të martën në mbrëmje në Sofje me iniciativën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Jashtme bullgare Mariya Gabriel.

Projekti paraqet një dorë robotike të aftë për lëvizjet bazë, të zhvilluar si një sistem me shumë boshte me theks në balancimin e modularitetit dhe koordinimit.

Gjashtë fushat në të cilat u prezantuan çmimet ‘Butterfly’ janë inovacioni i industrisë; inovacioni i gjelbër; inovacioni STEM; inovacioni i të rinjve; inovacioni universitar; dhe inovacioni i grave.

Çmimet e Inovacionit ‘Butterfly’ u krijuan nga RCC në dhjetor 2021. Ato tani u jepen çdo vit novatorëve, të rinjve dhe grave sipërmarrëse në Ballkanin Perëndimor për zgjidhje inovative, të bazuara në treg.

Teksa hapi edicionin e dytë të ceremonisë së Çmimeve të Inovacionit ‘Butterfly’ në Sofje të mbajtur të martën, ministrja e Jashtme Mariya Gabriel tha se ka shumë potencial që mund të zhbllokohet, "me inovacion mund të tregojmë se sa pasuri ka".

Në aktivitet morën pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Majlinda Bregu dhe ministrja bullgare e Inovacionit, Milena Stoycheva.

"Ballkani Perëndimor është në Evropë, ata janë pjesë e familjes evropiane dhe ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin," vuri në dukje Gabriel.

Ajo theksoi se përmes inovacionit “ne mund të ndërtojmë një ekosistem ku talentet, industria rajonale, të rinjtë dhe gratë mund të punojnë së bashku”.

“Ne duhet të tregojmë se të gjitha këto pjesë juglindore të Evropës, Ballkani Perëndimor, janë ndoshta ndër ekosistemet më të shquara që mund të kemi. Na takon neve të zhbllokojmë potencialin, të vendosim kontakte të ngushta, të njihemi. Identifikoni pikat e forta të vendit dhe rajonit tuaj, sepse me pikat tona të forta mund të tregojmë se ka vend për kampionët e Evropës në këtë rajon, ka vend për liderët evropianë që tregojnë se ne mund t'i kthejmë sfidat në mundësi”, shtoi Gabriel.

“Besoj se Evropa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor kanë kapacitetin përmes këtyre teknologjive për të treguar se ne mund të jemi pjesëmarrës aktivë në konkurrencën e Evropës”, theksoi ministrja e Inovacionit.

Sekretarja e Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Majlinda Bregu theksoi se Ballkani Perëndimor ka ndryshuar shumë në dekadat e fundit.

“Ne e dimë se transformimi digjital dhe inovacioni janë kudo. Por performanca e inovacionit të Ballkanit Perëndimor është ende nën 70% të mesatares së BE-së,” vuri në dukje Bregu.

Ajo tha se ka potencial të madh në rajon, por investimet në kërkime mbeten të ulëta në më pak se një për qind të bruto produktit vendor. /BTA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024