Edhe pas liberalizmit, kosovarët i mbesin besnik Shqipërisë për turizëm
Lexohet për: 3 min.
zana-qela
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Përkundër se kosovarët tash e katër muaj po mund të lëvizin lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian, ata po vazhdojnë të jenë vizitorë besnik ndaj atraksioneve turistike të Shqipërisë.

Bregdeti, turizmi i alpeve, sporteve të aventurës e agroturizmi po tërheqin shumë vizitorë, duke përfshirë edhe ata nga Kosova.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri, Zana Qela, në një intervistë për KosovaPress thotë se pret rritje të numrit të turistëve kosovarë, ani pse qytetarët e vendit tonë, që nga janari i këtij viti kanë mundësinë që të vizitojnë shumë vende të tjera në Evropë. Qela potencon se është rritur për 50 për qind numri i kosovarëve që e kanë vizituar Shqipërinë gjatë tre mujorit të parë të këtij vit, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

"Unë mendoj se shqiptarët kudo qofshin në Shqipëri apo në Kosovë, shteti mëmë e kanë destinacionin kryesor...Ne presim të kemi rritje dhe në fakt, tre muajt e parë të këtij viti e demonstruan këtë pohimin tim, sepse në krahasim me një vit më përpara në 3 muajt e parë të këtij viti, numri i turistëve kosovarë u rrit mbi 50 për qind më shumë në krahasim me vitin e kaluar”, thotë Qela.

Për KosovaPress, Qela theksoi  se po punojnë që shqiptarët ta shohin Kosovën si një nga destinacionet më atraktive për t’u vizituar, derisa përmendi sportet e aventurës si më tërheqëse. Ndër të tjera, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri, Zana Qela tregon se pas kosovarëve, numri i vizitorëve nga Italia është rritur trefish më shumë në krahasim me vitet e kaluara. Ajo theksoi se Shqipëria po shndërrohet në një destinacion gjithëvjetor, derisa përmendi se përveç bregdetit, turizmi i alpeve, sporteve të aventurës, agroturizmi po tërheqë çdo herë e më shumë vizitorë.

Ndërkaq, sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023 nga Kosova në Shqipëri kanë hyrë rreth 4.4 milionë vizitorë me një rritje prej 67 për qind në krahasim me vitin 2022. Hyrjet e shtetasve nga Kosova zunë 43 për qind të totalit të shtetasve të huaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024