“La Gazzetta dello Sport” ka bërë të ditur se dyert e Kombëtares së Italisë për Gianluca Scamacca janë të hapura edhe pse sulmuesi i Atalantës nuk u thirr për ndeshjet kundër Venezuelës dhe Ekuadorit, sepse ai kishte kaluar natën zgjuar duke luajtur PlayStation para një ndeshjeje kundër Ukrainës.
Thuhet se trajneri i Italisë, Luciano Spalletti është gati të përfshijë Scamaccan në skuadrën e “Azzurrit” për Kampionatin Evropian Euro 2024, raporton KosovaPress.
Trajneri i Italisë, në fakt, kishte zbuluar se Scamacca kishte kaluar tërë natë zgjuar duke luajtur PlayStation përpara një ndeshjeje kyçe kualifikuese për Euro 2024 kundër Ukrainës në nëntor, kështu që ai nuk e përfshiu atë në ekip për miqësoret ndërkombëtare.
“Nëse koha moderne është të luash PlayStation deri në katër të mëngjesit kur ka një ndeshje të nesërmen, atëherë ky modernitet nuk është i mirë”, tha Spalletti në shkurt, pa përmendur drejtpërdrejt Scamaccan.
Scamacca, nga ana tjetër, u pyet muajin e kaluar nëse Spalletti nuk e kishte telefonuar për shkak të PlayStation, por përgjigja e tij ishte mjaft e paqartë.
“Sinqerisht, nuk e di. Njerëzit flasin, por nuk janë në dhomë me mua gjatë natës dhe nuk e dinë se çfarë bëj. Janë thënë kaq shumë gjëra, por unë e di të vërtetën dhe ata që më njohin e dinë se çfarë personi jam”.