Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut para dy vjetësh hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati thënë se Evropa mundëson që Ballkani Perëndimor të jetë një vend me paqe dhe prosperitet.
Hapja e bisedimeve për Shkupin dhe Tiranën erdhi pasi më 16 korrik 2022, Kuvendi i Maqedonisë Veriore miratoi një propozim francez që mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.
Maqedonia e Veriut mori statusin e shtetit kandidat më 2005. Më 2009, Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim, me kusht që vendi të zgjidhte mosmarrëveshjet rreth emrit me Greqinë fqinje.
Shqipëria mori statusin e kandidatit më 2014 dhe nga viti 2018 ka pasur rekomandim për nisjen e negociatave, por ajo u fut në paketën e njëjtë me Shkupin dhe iu desh të priste që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të arrinin pajtim për dallimet.