Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano dhe Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, nënshkruan këtë të mërkurë dy Marrëveshje Teknike që synojnë konsolidimin e vijimësisë së bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet EULEX-it dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), për rritjen e efektivitetit të punës për personat e zhdukur.
Siç thuhet në njoftimin e EULEX-it, “Marrëveshja teknike ndërmjet EULEX-it dhe IML-së për kryerjen e përbashkët të shqyrtimit të rasteve” përfshin ofrimin thelbësor të ndihmës nga Ekipi i Mjekësisë Ligjore i EULEX-it për IML-në në të gjitha aspektet teknike të kërkimit, zhvarrosjes dhe identifikimit të personave të zhdukur në lidhje me konfliktin në Kosovë.
Sipas njoftimit, zyrat në kontejnerë pritet të vendosen gjatë muajve të ardhshëm.
“Marrëveshjet teknike të nënshkruara sot ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të IML-së për kryerjen e punës për personat e zhdukur, siç parashihet nga “Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale 2024-2034” e miratuar së fundmi”, thuhet tutje në njoftimin e EULEX-it.
“Ekspertët e EULEX-it ofrojnë ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varreve klandestine apo të pashënuara, si dhe zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga lufta e Kosovës dhe periudhën menjëherë pas saj. Misioni gjithashtu e mbështet IML-në për analizimin e mbetjeve mortore të paidentifikuara në morgun e Prishtinës”.
Në veçanti, që nga viti 2009, ekspertët e EULEX-it kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në 806 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 210 zhvarrime.