Moska mund të përdorë krizën energjetike dhe frikën e rritjes së çmimeve për të nxitur trazirat sociale në Gjermani. Për këtë ka paralajmëruar politikani i Të Gjelbërve, Konstantin von Notz. Disa shkencëtarë pajtohen me këtë vlerësim, transmeton Deutsche Welle.
Gjatë dimrit të ardhshëm, Rusia mund të përpiqet të shkaktojë trazira sociale në Gjermani me ndihmën e fushatave dezinformuese në internet.
“Situata është vërtet serioze”, thotë Konstantin von Notz nga Aleanca 90/Të Gjelbrit në një intervistë për DW.
Momenti i paralajmërimit të tij nuk është i rastësishëm. Njerëzit në Gjermani po ndjejnë gjithnjë e më shumë efektet e shpërthimit të çmimeve të energjisë pasi Moska pezulloi furnizimet me gaz në hakmarrje për sanksionet perëndimore.
“Për një kohë të gjatë, shërbimet tona sekrete kanë vërejtur se aktorët pro-rusë po organizojnë fushata në rrjetet sociale si Telegram, me qëllim që të helmojnë debatin publik dhe të përçajnë shoqërinë tonë”, thotë von Notz. “Ne jetojmë në kohë ku kemi të jemi shumë të kujdesshëm - kjo tregoi edhe një herë video-storja e rreme me Baerbock."
Rasti për të cilin ai flet tregon se çfarë mund të ndodhë me Gjermaninë: në fund të gushtit, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, gjatë një diskutimi në podium në Pragë, premtoi të ndihmonte Ukrainën e sulmuar "pavarësisht se çfarë mendojnë votuesit e saj gjermanë".
Por, brenda pak orësh, videoja e asaj fjalie, e nxjerrë jashtë kontekstit, filloi të përhapet në profilet pro-ruse në Telegram, sipas një analize të një shoqate që bashkon organizata të ndryshme joqeveritare nën emrin Qendra e Situatës së Dezinformimit. Shpesh videot plotësohen me shtesa konfuze ose tituj të gabuar për të shtrembëruar deklaratën aktuale të Annalene Baerbock.
Regjistrimet u përhapën shpejt dhe shpejt u shfaqën në Facebook, Twitter, Instagram dhe YouTube, ku u shpërndanë nga zyrtarë të AfD dhe të Majtë dhe profile ekstremiste të krahut të djathtë. Vetëm një ditë më vonë, një hashtag u shfaq në Twitter që ishte një nga më të njohurit atë ditë, duke kërkuar dorëheqjen e Annalene Baerbock.
Përpjekjet nga Moska për të ndikuar në opinionin publik në Gjermani nuk janë një fenomen i ri. Që nga Lufta e Ftohtë, ai ka qenë një nga qëllimet kryesore të propagandës sovjetike dhe ruse.
Vitet e fundit, platformat e mediave sociale janë bërë një nga vendet kryesore për një aktivitet të tillë. Midis 2015 dhe 2021, studiuesit kanë identifikuar më shumë se 700 fushata dezinformuese ruse që synojnë intensifikimin e ndarjeve ekzistuese në shoqërinë gjermane ose krijimin e të rejave.
Veç kësaj, aktivistët pro-rusë "shumë shpejt pas fillimit të agresionit rus filluan të merren me çështjen e mungesës së energjisë në Evropë, duke e paraqitur atë si pasojë e sanksioneve perëndimore dhe solidaritetit perëndimor me Ukrainën".
"Propaganda ruse po përhap narrativën se gjermanët do të ngrijnë për shkak të Ukrainës," thotë Smirnova. "Dhe duke pasur parasysh se dimri është afër, ky tregim ka një potencial të madh për të arritur njerëzit që kanë shqetësime dhe frikë legjitime."
“Përvoja na ka mësuar se në kohë tensionesh sociale, Rusia i shton operacionet e saj për të destabilizuar edhe më shumë demokracitë”, thotë ky psikolog social. Një gjë e ngjashme mund të shihet kur në vitin 2015 qindra mijëra njerëz u larguan në Gjermani nga lufta në Siri.
Sa herë që një vend përballet me sfida sociale, siç është kriza energjetike e afërt gjatë dimrit në Gjermani, thotë Lamberty, "ka një mundësi që njerëzit të bëhen më të bashkuar dhe më afër".
Deri më tani, protestat në Gjermani kundër rritjes së çmimeve të nevojave dhe veçanërisht të produkteve energjetike kanë qenë relativisht të dobëta. Por kjo mund të ndryshojë me netët e para të ftohta të vjeshtës. Partitë nga skajet politike kanë paralajmëruar tashmë një "vjeshtë të nxehtë" me demonstrata të rregullta të hënave.
Në të njëjtën kohë, aktorët pro-rusë mund të përpiqen t'i radikalizojnë këto protesta me fushata dezinformuese të synuara, thotë deputeti Konstantin von Notz.