Duka: Eksperienca si anëtar i KE-së në UEFA është arsyeja pse vendosa të rikandidoj
Lexohet për: 5 min.
duka
1 vit më parë
Linku u kopjua

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka dhënë një intervistë për televizionin ku ka folur në lidhje me eksperiencën e tij 4-vjeçare si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe me sfidat që është përballur në këtë mandat të parë në organin më të rëndësishëm të qeverisjes së futbollit eurpopian.

Gjithashtu, numri një i FSHF-së ka shpjeguar edhe për arsyet drejt rikandidimit për një mandat të dytë në KE-në e UEFA-s, me zgjedhjet që do të mbahen në Kongresin e 47-të të zakonshëm të UEFA-s, i caktuar për t’u zhvilluar në Lisbonë, Portugali, më datën 5 prill 2023.

Përveç kësaj, Presidenti Duka ka analizuar edhe sfidën e ardhshme të Kombëtares shqiptare që po përgatitet për eliminatoret e Kampionatit Europian 2024 me një trajner të ri në stol dhe pritshmëritë që ai ka nga Silvinjo dhe stafi i tij.

“Pa dyshim, të qenit anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është një eksperiencë e re për mua, një eksperiencë ndryshe. Është edhe një ngarkesë, sidomos duke pasur parasysh që 4 vite nuk kanë qenë 4 vite të zakonshme, por kanë pasur veçoritë e veta. Ka pasur ngjarje të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh pandeminë dhe jemi detyruar që shumë nga vendimet të merren online sesa me takime dhe diskutime fizike. Më pas, lufta në Ukrainë. Gjithsesi, vendimet e marra gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë të rëndësishme dhe të vështira për futbollin europian në përgjithësi. Nëse do kemi parasysh Protokollin e Rikthimit në Lojë përgjatë pandemisë. Ishim e vetmja organizatë në botë që përfunduam të gjitha aktivitetet sportive. U rikthyem më shpejt në lojë, protokollet e miratuara, respektimet e tyre. Pastaj, vendimet për organizimin e aktiviteteve sportive në Ukrainë, apo ndërprerjen e tyre në Rusi. Në të njëjtën kohë, edhe zhvillimi i Kampionatit Europian ‘EURO 2020’, që u zhvillua në 2021, me veçoritë e veta. Ka qenë një eksperiencë e bukur, e veçantë, por jo në tablonë e një aktiviteti normal. Duke pasur parasysh këtë lloj eksperience, e gërshetuar edhe me eksperiencën e drejtimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së më ka propozuar përsëri për të qenë kandidat për një mandat të dytë 4-vjeçar në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.”

“UEFA është një organizatë e tillë që nuk do të ndryshojë strategjitë apo politikat e saj. Është një organizatë solide që funksionon me procedura dhe rregulla shumë strikte dhe kontributi i Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit aty është për zhvillimin e futbollit europian në përgjithësi. Për ato politika dhe strategji që duhet të ndjekë, vendimet që merren aty për futbollin europian, për futbollin e fëmijëve në të gjithë Europën, ku bëjmë pjesë dhe ne. Organizata vetë ka në parimet apo në themelet e saj solidaritetin dhe fair-play-n, kështu që pa dyshim edhe Shqipëria ka përfitimet e saj. Dhe për të mos thënë që disa vende si Shqipëria e kanë të vështirë jo vetëm zhvillimin e futbollit, por edhe mbijetesën nëse nuk do të ishin anëtarë të UEFA-s.”, tha Duka

“Tashmë, kandidaturat janë zyrtarizuar. Janë kontrolluar edhe nga Komitetet e domosdoshme për t’u quajtur të ligjshme, të rregullta dhe etike. Janë 11 kandidatura nga 11 vende të Europës për 7 vende në Komitetin Ekzekutiv. Të 11-të janë drejtues Federatash të mëdha, të mesme e të vogla, me një të kaluar shumë të mirë, si edhe me eksperiencë. Nuk mund të them se kush janë favoritë, por varet se cilët do të mbështesin më shumë 55 Federatat anëtare të UEFA-s. Pa dyshim që gjatë 4- vjeçarit, disponibiliteti, kontributi dhe angazhimi im në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s ka qenë 100%. Besoj se kjo do të vlerësohet me një notë pozitive nga 55 vendet anëtare.”, vazhdoi ai.

“Fatmirësisht, në Europë nuk është se kemi një qeveri, një politikë apo një bashki, që duan të ndikojnë. Është thjesht politikë e Federatave anëtare, vullneti dhe mendimi i tyre. Pa dyshim, që edhe nëse nuk janë të shkruara, ndiqen disa parime, si ajo e shpërndarjes gjeografike, për të pasur një lloj balance gjeografike me anëtarët e Komitetit; të shpërndarjes së Federatave të mëdha, të mesme dhe të vogla, në mënyrë që Komiteti Ekzekutiv të mos jetë 100% me Federata të mëdha, apo të mesme e të vogla. Pra, ndiqen disa parime. Duke pasur parasysh, që nga ana jonë, unë jam i vetmi kandidat, ky është një argument më tepër për Federatat anëtare, për të mbështetur kandidaturën.”, shtoi i pari i FSHF-së.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024