Duartrokiti për Rubiales, Spanja pritet ta shkarkojë trajnerin e kombëtares së femrave
Federata Spanjolle e Futbollit po shqyrton opsionet e saj nëse mund të shkarkojë trajnerin fitues të Kupës së Botës për femra, Jorge Vilda.
Vilda mbetet në post pavarësisht se shumica e stafit të tij stërvitor dha dorëheqje në shenjë proteste kundër refuzimit të presidentit të federatës Luis Rubiales për t'u dorëhequr pas puthjes me lojtaren e skuadrës Jenni Hermoso pas fitores së tyre në Kupën e Botës më 20 gusht.
Tetëdhjetë e një lojtarë të Spanjës, përfshirë të gjithë 23 fitueset e Kupës së Botës, kanë thënë gjithashtu se nuk do të luanin më për ekipin derisa Rubiales mbetet në pozicionin e tij, përcjellë KosovaPress.
Vilda u pa duke duartrokitur për Rubiales në asamblenë e përgjithshme të jashtëzakonshme të federatës spanjolle (RFEF) të premten, kur Rubiales këmbënguli vazhdimisht se ai nuk do të jepte dorëheqjen.
RFEF beson se të gjitha këto incidente të kombinuara mund t'u japin atyre një arsye të mjaftueshme për të shkarkuar Vildën.
Drejtuesit rajonalë të Federatës zhvilluan një takim të përgjithshëm të jashtëzakonshëm me presidentin e përkohshëm Pedro Rocha të hënën, ku ata bënë thirrje për një ristrukturim të federatës për të nisur një epokë të re.