Futbollistët e Dritës së Gjilanit nuk ia dolën të kualifikohen në fazën grupore të Ligës së Konferencës, pasi sonte në ndeshjen e kthimit të play-off-it pësoi humbje ndaj kampionit 15 herë të Polonisë - Legia Varshavë me rezultatin 0:1.
Ndeshja e parë para një jave përfundoi me fitoren e skuadrës polake prej 2:0, e cila ishte e paarritshme për ekipin e Zekiria Ramadanit, të cilës i nevojiteshin tri gola që të kualifikohej tutje.
Rastin e parë ideal për shënim gjilanasit e patën qysh në minutën e katërt përmes Juan Mesa, por goditja e tij u ndalua nga mbrojtësi mysafir Rafal Augustyniak.
Skuadra mysafire në pjesën e parë u tregua mjaft e ashpër me ndërhyrje të palejuara ndaj futbollistëve gjilanas, për çka me kartonë të verdhë u ndëshkuan Sergio Barcia, Blaz Kramer, Bartosz Kaputska, derisa në radhët e Dritës me të verdhë u ndëshkua Rron Broja.
Në këtë pjesë të lojës me kartonë të verdhë u ndëshkuan edhe Claude Goncalves, Pavel Wszolek, Steve Kapuadi nga radhët e mysafirëve, teksa te vendësit u “zverdhën” Almir Ajzeraj, Arb Manaj.
Gjilanasit mbetëm me një lojtar më pak në fushën më minutën 77 kur Rron Broja u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga ndeshja. Kjo edhe ndikoi që mysafirët të tregoheshin më të rrezikshëm në kundërsulme duke shënuar në minutën e parë të kohës shtesë përmes rezervistit Tomas Pekhart.
Ndryshe, Legia në kampionatin e Polonisë ka 15 tituj kampioni, 20 kupa rekorde dhe pesë trofe të superkupës.