Drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Mitrovicë, Elvis Feka, ka thënë se organet komunale janë hallka e parë e bashkëpunimit me qytetarët, andaj sipas siç thotë ai politikbërja që vie nga lart-poshtë, po ju shkakton probleme.
Ai gjatë një interviste për KosovaPress, bëri të ditur se bashkëpunimi me institucionet qendrore nuk është në nivelin e kënaqshëm, përkundër iniciativave të komunës së Mitrovicës për të punuar projekte të përbashkëta.
Duke folur për punët e Drejtorisë të cilën e udhëheqë në përmirësimin e ekonomisë së Mitrovicës, Feka ka përmendur krijimin e infrastrukturës, strategjinë për zhvillim ekonomik lokal, strategjinë për turizëm, si dhe angazhimin e madh në fuqizimin e zonave ekonomike.
Ai potencoi mbështetjen për fuqizimin e ekonomisë sidomos në zonat rurale, duke subvencionuar banorët e këtyre zonave, pastaj organizatat joqeveritare, si dhe projektet e ndryshme për turizëm.
Ai theksoi se prej ardhjes së Partisë Demokratike të Kosovës në qeverisje, është arritur që deri tani të realizohen 70 përqind e premtimeve në fushën e ekonomisë.
“Pjesa e bashkëpunimit me qendrën nuk është në nivelin e kënaqshëm, përkundër iniciativave tona për të punuar projekte të përbashkëta… Këtë vit kemi arritur t’i dërgojmë një numër të madh të projekteve në nivelin qendror... Ne synojmë që të kemi një bashkëpunim më të ngushtë me nivelin qendror për shkak se si qeverisje jemi hallka e parë e bashkëpunimit me qytetarë dhe shpeshherë politikbërja po vie nga lart-poshtë, gjë që po na shkakton probleme… Si komunë e Mitrovicës po përballemi me sfida të mëdha të zhvillimit ekonomik… për shkak të problemeve ekonomike përgjithësisht në Evropë dhe botë… I kemi sfidat tona sidomos pas kalimit të komunës nga një qytet industrial në një qytet ku …industria veç është stopuar, si dhe jemi përballur me tranzicionin e kalimit në pjesën e bizneseve dhe veprimtarive tjera të ekonomisë, me qëllim të fuqizimit të ekonomisë… Si komunë e Mitrovicës kemi punuar shumë në krijimin e infrastrukturës, kemi bërë strategjinë për zhvillim ekonomik lokal, kemi bërë strategjinë për turizëm dhe jemi angazhuar shumë në fuqizimin e zonave ekonomike të cilat i kemi veç të themeluara”, pohoi ai.