Dorëzohen edhe spanjollët: Kjo që po bën Kosova është e jashtëzakonshme
Sport
Lexohet për: 1 min.
Dëgjoje me zë...
Dorëzohen edhe spanjollët: Kjo që po bën Kosova është e jashtëzakonshme
Gazeta e madhe sportive spanjolle “Marca” i ka kushtuar një artikull të veçantë Kombëtares së Kosovës, duke e cilësuar si një nga surprizat më të bukura të këtyre kualifikimeve për Kupën e Botës. Sipas kësaj mediaje, rrugëtimi i “Dardanëve” përbën një histori të jashtëzakonshme në futbollin ndërkombëtar.
Në artikull theksohet se Kosova, e cila u pranua në FIFA dhe UEFA vetëm në vitin 2016 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, tashmë është shumë pranë një arritjeje historike. “Pavarësisht se është një nga vendet më të reja në botë dhe nuk njihet nga shumë shtete, ajo synon kualifikimin e parë në një Botëror”, shkruan gazeta spanjolle.
Tutje, “Marca” nënvizon se Kosova do të luajë në finalen e “play-off”-it kundër Turqisë, ku fituesi siguron pjesëmarrjen në Kupën e Botës. Media spanjolle rikujton se Kosova ka marrë pjesë në ciklet kualifikuese për Botërorët 2018 dhe 2022, ndërsa tani, në më pak se një dekadë nga debutimi ndërkombëtar, është vetëm një hap larg realizimit të një ëndrre që do të hynte në histori.
KosovaPress