Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, bën të ditur se sot në Gjykatën Speciale në Hagë kanë dorëzuar 200 mijë nënshkrime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Gucatit, këto nënshkrime përfaqësojnë “200 mijë zëra që kumbojnë me një kërkesë të vetme – drejtësi për çlirimtarët”.
Gucati ka shprehur besimin e tij në, siç e quajti, “luftën e pastër të UÇK-së”, duke uruar që gjatë kësaj vere ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep i ka thënë KosovaPress-it se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit por data që përcakton afatin e zgjatur.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.