Zëdhënësi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka njoftuar se KQZ-ja ka zgjatur afatin, deri në orën 23:59 të ditës së sotme, për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzim të listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme të KQZ-së, pasi janë larguar mediat.
“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjatur afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, deri në orën 23:59 të ditës së sotme, e mërkurë, 11 dhjetor 2024. Këtë vendim, KQZ e mori gjatë mbledhjes së sotme duke pasur në konsideratë se për herë të parë ky proces realizohet përmes platformës online http://certifikimi.kqz-ks.org dhe disa nga subjektet politike kanë pasur vështirësi në përdorimin e platformës”, njoftoi Elezi.
Vetëm dhjetë subjekte politike deri para orës 16:00, kur ishte afati i fundit, kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë.