Pas suksesit madhështor në sportin e xhudos, Kosova ngadalë po e forcon emrin e saj në arenën e sportit, ku gjinia e femrave është duke na bërë krenarë.
Pas medaljeve të arta të Nora Gjakovës, Distria Krasniqit e Majlinda Kelmendit në xhudo, boksierja kosovare Donjeta Sadiku i bashkohet femrave me medalje duke i sjellë të bronztën Kosovës.
Në të njëjtën kohe, ky ishte një sukses historik pasi që Kosovës i mungonte medalja në konkurrencën e senioreve për më shumë se 40 vjet.
Sadiku në një intervistë për KosovaPress rrëfen rrugëtimin e saj drejt medaljes së bronztë, ndërsa edhe tregoi për synimet e saja në të ardhmen.
"Po ka qenë një rrugëtim i gjatë edhe kam pasur shumë emocione, mirëpo gjithçka ka shkuar ashtu siç e kam planifikuar, normal kam dëshiruar edhe më shumë, por jam e kënaqur me këtë rezultat", tha Sadiku.
Po ashtu, Sadiku nuk e konsideroi shortin e saj në këtë Botëror të lehtë, ndërsa për suksesin e saj e falënderoi trajneren e saj, Mariola Sallauka.
Më tej, Sadiku foli edhe për rëndësinë e kësaj medaljeje, ndërsa u shpreh krenare se ka arritur ta shkruajë historinë në boksin kosovar.
"Kjo medalje është shumë e rëndësishme dhe jam shumë krenare që kam arritur të sjellë këtë medalje dhe të shkruaj historinë për boksin e Kosovës", tha Sadiku.
“Këtë sukses ia dedikoj të gjithë Kosovës”, tha Sadiku.
Për fund, Donjeta tregoi se çfarë e pret atë pas këtij Botërori, ku tha se synimi i saj do të jetë që medalja e artë.
Ndryshe, Donjeta Sadiku për suksesin e saj të madh ka marrë urime nga presidenti i Federatës së Boksit të Kosovës (FboxK), Enver Krasniqi, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) Ismet Krasniqi dhe zëvendës-ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Daulina Osmani.