Dogana e Kosovës gjatë kësaj jave ka parandaluar 14 raste të tentim kontrabandës, në dy raste të ndara janë zbuluar mallra të ndaluara, armë dhe substanca narkotike (ekstazi).
Sipas Doganës gjithashtu në terminalet doganore gjatë zhdoganimit të mallrave janë gjetur (parandaluar) 7 raste të mos-deklarimit të saktë, respektivisht tentime për të shmangur pagesat e taksave.
Kontrolli i autobusit: Në fillim të javës, njësitet antikontrabandas kanë parandaluar tentativën e futjes së mallrave të paligjshme përmes një autobusi. Ky aksion ka vazhduar edhe në lokacionin e importuesit, ku janë zbuluar dhe sekuestruar mallra të paligjshme.
Zbulimi i armëve dhe substancave stimuluese seksuale: Gjatë kontrollit në rajonin e Ferizajit te një subjekt tregtare, është zbuluar një armë ilegale. Po ashtu, në kontrollin e disa subjekteve në rajonin e Prishtinës janë zbuluar edhe sekuestruar 40,000 euro në mallra, përfshirë stimulues seksual.
Kontrolli në terminalet doganore: Kontrolli i realizuar në terminalet e brendshme doganore ka zbuluar 7 raste të mos-deklarimit të saktë të mallrave. Në një prej rasteve, është vënë në dukje një permutacion i mallrave për të shmangur pagesat e taksave importuese. Gjithashtu, janë zbuluar raste të mallrave të përziera nga Turqia dhe nga India, ku 3 prej tyre janë dyshuar për shkelje të ligjit mbi pronësinë intelektuale dhe janë dërguar për verifikim.
Substanca narkotike: Sot, gjatë një kontrolli të pakove në postën doganore, janë gjetur 197 pilula narkotike të llojit ekstazi si dhe një qese me përmbajtje 37% THC, të cilat janë dorëzuar tek policia e Kosovës për hetim dhe veprime të mëtejshme.