Dogana forcon bashkëpunimin me Odën e Farmacistëve për kontroll dhe siguri në tregun e barërave
Biznes
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Dogana e Kosovës ka zyrtarizuar një Memorandum të rëndësishëm të Mirëkuptimit me Odën e Farmacistëve të Kosovës. Ky partneritet synon të forcojë bashkëpunimin midis dy institucioneve dhe të forcojë masat për të garantuar sigurinë publike.

Në komunikatë thuhet se Memorandumi i Mirëkuptimit synon të nxis shkëmbimin e informacionit, përvojave dhe njohurive, përmes pikës së caktuar të kontaktit. Së bashku me institucionet tjera, siç është Ministria e Shëndetësisë dhe ATK, Dogana e Kosovës luan rol të rëndësishëm në luftimin e informalitetit, ndërsa që kontrabanda me barëra është sfidë që haset shpesh në operacionet kundër kontrabandës. Konfiskimet e bëra nga Dogana e Kosovës nuk synojnë vetëm kontrabandistët, por synojnë edhe parandalimin e shpërndarjes së barnave të pakontrolluara dhe potencialisht të rrezikshme në treg.

“Duke e njohur rëndësinë e llogaridhënies brenda profesionit farmaceutik, Dogana e Kosovës zotohet të informojë me kohë Odën e Farmacistëve për çdo parregullsi apo rast të kontrabandës që përfshin profesionistë të farmacisë. Kjo qasje bashkëpunuese e fuqizon Odën e Farmacistëve për të ndërmarrë masa disiplinore, duke përfshirë gjobat ose revokimin e licencave, ndaj farmacistëve përgjegjës, duke zbatuar qasje gjithëpërfshirëse për të luftuar kontrabandën me barëra nga shumë kënde ligjore”, thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës i bën thirrje publikut që të tregojë kujdes gjatë blerjes së barnave, duke theksuar domosdoshmërinë e verifikimit të banderolave të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë për produktet farmaceutike.

Për të lehtësuar përfshirjen e publikut në këtë përpjekje kolektive, Dogana e Kosovës inkurajon qytetarët që të raportojnë çdo rast kur hasin në barna kontrabandë. Dogana mirëmban linja të sigurta komunikimi dhe ofron aplikacionin e sigurt të raportimit eDogana për telefonat inteligjentë.

Në fund thuhet se duke nxitur një komunitet bashkëpunues dhe vigjilent, Dogana e Kosovës dhe Oda e Farmacistëve të Kosovës janë të bashkuar në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme që rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë publike në njërën anë dhe padrejtësisht dëmtojnë tregtarët e përgjegjshëm.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024