Anëtari serb i Presidencës së BeH, Milorad Dodik deklaroi sot se lufta në Ukrainë dhe efektet e saj negative i kanë detyruar krerët serbë të Bosnjës të shtyjnë planet për tërheqjen e rajonit të tyre nga institucionet kombëtare të Bosnje e Hercegovinës.
Në dhjetor, Parlamenti i Republikës Serbe votoi për të shkëputur lidhjet me forcat e armatosura të Bosnjës, gjyqësorin dhe sistemin e taksave, në një propozim jodetyrues që do t'i hapte rrugën shkëputjes.
Megjithatë, kushtet e ndryshuara politike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë kanë çuar në vonesa, tha Dodik, planet e të cilit mbështeten nga Moska.
Plani secesionist nuk është anuluar, por vetëm është shtyrë, tha Dodik gjatë një sesioni parlamentar që ai mblodhi për të fituar mbështetje kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.