Plani pesë vjeçar për ndërtimin dhe rinovimin e 27 stadiumeve të futbollit në Kosovë i shpalosur nga ministri për Kulturë-Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, po konsiderohet tejet ambicioz dhe jo lehtë i arritshëm brenda kësaj periudhe nga trajnerët dhe analistët e futbollit në vend.
Sipas tyre, fakti që ky plan është i lidhur ngushtë me zotimet që Kosova ka marrë për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, jep më shumë garanci se do të konkretizohet edhe në teren.
Analisti dhe trajneri, Arsim Plepolli e ka quajtur të çuditshëm këtë plan, duke thënë se është shumë skeptik mbi realizimin e tij. Ai ka shtuar se nëse një plan i tillë konkretizohet, atëherë ministrit Çeku duhet ngritur një përmendore.
Sipas Plepollit, ky është rasti më i mirë dhënë Kosovës për ta përmirësuar infrastrukturën sportive dhe se duhet nisur punën fuqishëm për ta shfrytëzuar këtë beneficion brenda këtyre viteve.
27 shtete janë pjesë e Komitetit Olimpik Mesdhetar të cilat në vitin 2030 do të jenë pjesëmarrëse në Lojërat Mesdhetare, organizimin e të cilave Kosova e fitoi në Asamblenë e Përgjithshme të këtij komitetit të mbajtur në fillim të muajit shtator.