Me aktivitete të ndryshme po shënohet “Dita Ndërkombëtare Pa Makina”, në Prishtinë, ditë kjo e cila synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin makinat e tyre.
Në kuadër të kësaj dite Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, OJQ-në “Marakli t’biçiklave”, kanë shënuar këtë ditë duke bërë thirrje sa më shumë qytetarëve që të përdorin mjete që nuk e ndotin ambientin. Me ç ‘rast në kryeqytet nga ora 10:00 deri në orën 15:00, është mbyllur edhe rruga për qarkullim të veturave rruga “Dëshmorët e kombit”, nga bulevardi “Xhorxh Bush”, deri te Rrethi i Flamurit.Besmir Kokollari nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, derisa ka treguar qëllimin e këtij aktiviteti, bëri kërkesë gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë sa më shumë mjete që nuk e ndotin ambientin.
Pëllumb Bajqinofci, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, tha se nuk mjafton një ditë në vit për promovimin e lëvizjes alternative në kryeqytet. Ai ka shtuar se komuna është duke punuar që të rregullojë infrastrukturën e nevojshme për biçikleta dhe trotinet.
Drejtori i drejtorisë regjionale të Prishtinës nga Policia e Kosovës, Basri Shabani, tha se PK-ja, ka marrë të gjitha masat operative që të sigurohen qytetarët gjatë këtij aktiviteti.
Mes tjerash, përfaqësuesi nga komuna, Bajqinofci i pyetur se nëse mbyllja e kësaj rruge është një testim, që kjo të bëhet në të ardhmen, siç është premtuar nga kryetari Përparim Rama, tha se ky nuk është një test por që ka lidhje vetëm me promovimin e lëvizjes së lirë.