Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se sulmet kibernetike ndaj sistemit bankar janë intensifikuar.
Gjatë deklarimit para Komisionit kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja ai shpjegoi natyrën e këtyre sulmeve dhe nga vijnë ato.
Guvernatori tha se sulmet e vazhdueshme kanë nxjerrë si domosdoshmëri marrjen e disa masave për t'u mbrojtur nga këto sulme. për këtë arsye është bashkëpunuar me Departamentin Amerikan të Thesarit.
“Kemi marrë masa në vijimësi për mbrojtjen e sistemeve tona nga këto sulme, si në lidhje me sistemet informatike edhe të qarkullimit të pagesave. Me asistencën e Departamentit amerikan të Thesarit kemi përgatitur një rregullore për mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike. Rregullorja do të miratohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës”, theksoi Sejko.
Më 2022, autoritetet shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare kishin akuzuar Iranin se qëndronte prapa sulmeve kibernetike të kryera në korrik ndaj infrastrukturës kritike qeveritare të Shqipërisë. Tirana më pas ndërpreu raportet diplomatike me Teheranin dhe dëboi diplomatët iranianë nga Shqipëria.
Kuvendi miratoi ngritjen e Komisionit kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në prill të këtij viti. Opozita nuk ka pranuar të bëhet pjesë e këtij komisioni, pasi ka ngritur shqetësime për qartësinë dhe qëllimin e komisionit dhe kanë theksuar nevojën për transparencë.