Në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku për KosovaPress ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet qeverisë dhe konsumatorit.
Numri i ankesave të konsumatorëve nga 1 janari i këtij viti e deri më tani sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) është gjithsej 969, prej tyre në proces janë 742, të zgjidhura 142 dhe të refuzuara 84.
“Kontrollimi është detyra e doganës. Si shtetin ashtu edhe doganën e kemi themeluar për t’u kujdesur për ne që të na mbrojë. Nëse dogana dyshon se një produkt e ka kaluar kufirin në mënyre ilegale, ka të drejtë të kontrollojë gjithë territorin e Kosovës në çdo kohë dhe nuk mund ta ndalojë askush... Ne akoma anën veriore të Kosovës nuk e kemi nën kontroll dhe kontrabanda është biznes shumë fitimprurës,” u shpreh ai.
Ndryshe, 15 marsi është Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorëve. Kosova ka ligjin e saj për mbrojtjen e konsumatorit, e cila është miratuar në qershor të vitit 2004. Ky ligj përfshin të drejtën e informimit, sigurisë dhe të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar./A.Zogaj