Ambasada e Italisë në Kosovë organizoi të enjten “Ditën e Dizajnit Italian”, me studentë në Fakultetin e Arkitekturës. Ky aktivitet u konsiderua si një mundësi e mirë për komunitetet krijuese italiane dhe kosovare për shkëmbim të përvojave dhe praktikave të mira në sferën e arkitekturës. E njëjta u mirëprit edhe nga studentët, të cilët konsideruan se dizajni dhe arkitektura italiane është bazë e mirë për avancimin tutje të tyre.
Ambasadori italian në Prishtinë, Antonello de Riu, tha se ky është edicioni i shtatë i dizajnit italian dhe në mesin e mbi 100 vendeve, ku po zhvillohet është edhe kryeqyteti i Kosovës.
“Fushëveprimi i ditës së dizajnit është të promovojë dizajnin italian, i cili është si një lloj brendi italian dhe ndërkombëtarizim i sektorit strategjik industrial për eksportet tona. Kjo duke iu falënderuar debateve të frytshme që nxiten çdo vit në mbi 100 vende ku zhvillohet kjo ditë. Prishtinë është e përfshirë këtu në radhët e këtyre 100 vendeve, që ka për qëllim të ofrojë një mundësi për komunitetet krijuese italiane dhe vendore për të shkëmbyer përvojat dhe praktikat më të mira. Tema e edicionit aktual është cilësia që ndriçon, energjia e dizajnit për njerëzit dhe mjedisin”, tha ai.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për të kremtuar bukurinë dhe inovacionin e dizajnit italian.
Ndërkaq, dekanja e Fakultetit, Violeta Nushi, tha se programe si kjo mundësojnë shkëmbim dhe diskutim të praktikave të mira.
“Fakulteti i Arkitekturës ka krijuar platformën për përfituesit, profesionistët dhe forumet akademike e cila shërben për takime, shkëmbime, shpërndarje të njohurive dhe përvojave për edukimin arkitektural dhe më tej. Prandaj kjo platformë mund të ofrojë inspirim për shkëmbim dhe diskutim të praktikave të mira dhe përmes provokimit të koncepteve duke artikuluar shqetësime të përbashkëta dhe interesimin në edukimin e fushës arkitekturale”, tha ajo.
“Do të paraqes një mori punësh që kryesisht kanë të bëjnë me qytetin. Ato janë projekte të dizajnin të shkallës së vogël apo ulët, por merren me qytetarinë dhe imazhin e qytetit...Kjo është një temë e cila mund të jetë pjesë që do të mbulojë gjithë projektet që do t’i paraqes sot. Ato janë projekte kërkimore dhe kanë ardhur nga universiteti dhe doktoratura ime”, tha ajo.
Në anën tjetër, aktivitetin e sotëm e konsideroi shumë të rëndësishëm studenti i vitit të tretë në Fakultetin e Arkitekturës, Zog Limani.
Kurse, studenti tjetër, Diell Gashi, si një dashamirës i arkitekturës italiane, tha se e njëjta ka qenë një prej bazave që ka nisur të studioi arkitekturën.
“Arkitektura italiane ka qenë një prej bazave kur jam nis, pasi është arkitektura që më pëlqen më së shumti. Ligjërata ka qenë mjaft e rëndësishme, ka pas disa pjesë me celebrimin disa pjesë se si me shiju arkitekturën, apo si njerëzit e zakonshëm ndjejnë arkitekturën”, tha ai.