Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Kuvendi i Kosovës hapi dyert për të gjithë qytetarët që duan ta vizitojnë. Me këtë rast, kryeparlamentari Glauk Konjufca vlerësoi se transparenca është një prej elementeve thelbësore të një qeverisje demokratike, derisa potencoi se këtë vit po festohet kjo ditë më ndryshe meqë është bërë anëtarësimi i vendit tonë në partneritetin për qeverisje të hapur.
Konjufca e quajti testament të së kaluarës ndërtimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit dhe arritjen e lirisë dhe pavarësisë.
Po ashtu, edhe kryetarja e Forumit për Transparencë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni e cilësoi si moment të rëndësishëm shënimin e kësaj dite, meqë sipas saj Kosova ka shënuar progres të madh sa i përket demokracisë.
Ndërkaq, deputetja e PDK-së dhe njëkohësisht anëtare në Forumin për Transparencë, Blerta Deliu Kodra tha se Kosova është një shembull i mirë për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe demokratike./Z.Zeneli/