Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve është një ditë e veçantë për personat e moshës së tretë në të gjithë botën.
Më 14 dhjetor 1990 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përcaktoi 1 tetorin si ditën e respektit global për të moshuarit.
Radiot, televizionet apo gazetat botojnë intervista me të moshuar për çështje të tilla si, arritjet që kanë bërë për të krijuar një shoqëri më të mirë. Kjo ditë zakonisht është e mbushur edhe me shumë aktivitete të tjera, në shkolla dhe institucione të ndryshme tregohen materiale promovuese për Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve.
Gjithashtu organizohen aktivitete të fokusuara në mjedis, shëndetësi, arsim apo shërbime komunitare në respekt të moshës së tretë.Diskutimet janë përqendruar në tema të tilla si: plakja e popullsisë dhe ofrimi i kujdesit shëndetësor për personat e kësaj moshe, puna vullnetare, kujdesi social dhe mënyrat që të jenë më përfshirëse për personat e moshuar në fuqinë punëtore.
Në vitin 2002 Asambleja e dytë Botërore mbi plakjen në Madrid miratoi Planin e Veprimit Ndërkombëtar për Plakjen për t'iu përgjigjur mundësive dhe sfidave të plakjes së popullsisë në shekullin e 21-të dhe për të nxitur zhvillimin e një shoqërie për të gjitha moshat.