Dita botërore e lirisë së shtypit, “Reporterët pa kufij” – Kosova shënon rënie për 19 vende
Lexohet për: 2 min.
reporteret pa kufij123
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Organizata “Reporterët Pa Kufij” ka publikuar sot Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit me ç’rast Kosova ka zënë vendin e 75 për dallim nga viti i kaluar që ishte në të 56-të, duke shënuar kështu rënie për 19 vende.

Në raportin e “Reporterëve pa kufij” thuhet se përderisa tregu mediatik i Kosovës është i larmishëm, zhvillimi i tij është i kufizuar. Liria e medias është e kërcënuar nga “rregullimi i politizuar”, qasja e pamjaftueshme në informacion dhe rritja e sulmeve fizike.

Edhe nëse media arrin t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë objektiv i sulmeve politike, thuhet tutje.

“Liria e shprehjes, mbrojtja e burimeve dhe e drejta për informim janë të garantuara ligjërisht… Por, gjithnjë e më shumë gazetarë u janë nënshtruar SLAPP-ve të iniciuara nga grupe biznesi dhe politikanë”, thuhet në raport, transmeton Telegrafi.

Mediat në raportin e Reporterëve pa Kufij në përgjithësi thuhet se janë të varura nga reklamat qoftë nga qeveria, qoftë nga partitë politike, të cilat të dyja shpërndahen në mënyrë jotransparente dhe partiake.

“Përveç kësaj, nëpërmjet pronarëve të tyre, redaksitë e mediave private janë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve nga grupe të fuqishme politike apo biznesi. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfidën shtesë të një tregu të vogël në të cilin disa media varen nga financimi nga Serbia fqinje, ndërsa media e pavarur nuk do të mbijetonte pa financim ndërkombëtar”.

Mediat e pavarura dhe gazetarët investigativë janë shpesh në shënjestër të fyerjeve dhe lajmeve të rreme në mediat sociale.

Raporti po ashtu përmend vrasjet dhe zhdukjet e gazetarëve që kanë ndodhur para dhe gjatë Luftës së Kosovës (1998-2005) kanë mbetur të pandëshkuara.

Reporterët pa kufij po ashtu përmendin sulmet kundër gazetarëve gjatë protestave të një serbëve në veri të Kosovës.

Ndërkaq, në raportin e publikuar nga Reporterët e Kosovës, Maqedonia e Veriut zë vendin e 36, Mali i Zi 40, Bosnja dhe Hercegovina zë vendin e 81, Serbia 98, Shqipëria 99. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024