Disa pacientë të prekur me lloje të ndryshme të kancerit detyrohen ta sigurojnë vet ilaçin e imunoterapisë Keytruda - Pembrolizumab. Ky medikament, i cili është pjesë e listës së barnave esenciale, në Kosovë jepet falas vetëm për pacientët e prekur me kancer të mushkërive dhe lëkurës.
Kjo ishte përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) me përditësimin e listës së barnave esenciale, në vitin 2023.
Por, nga kjo ministri gjithashtu, thonë se edhe mundësitë buxhetore e kufizojnë dhënien falas - për çdo lloj të kancerit - të këtij medikamenti.
Edhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi pranon se nga revidimi i fundit i bërë për listën e barnave esenciale është vendosur që Pembrolizumab të jepet vetëm për pacientët që janë të diagnostikuar me kancer të mushkërive dhe lëkurës.
Ky dallim po konsiderohet diskriminim dhe shkelje e të drejtave të njeriut.
Valentina Demolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë për KosovaPress se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë marrin trajtime sipas nevojave të tyre.
Në Kosovë, aplikimi i imunoterapisë kundër kancerit ka nisur në vitin 2021. Bëhet fjalë për një trajtim të sëmundjes përmes substancave që stimulojnë përgjigjen imune.
Sipas Klinikës së Onkologjisë vetëm këtë vit në Kosovë janë identifikuar mbi 1 mijë raste të reja me kancer./B.Ibishi