Disa komuna dhe fermerë kërkojnë ndarjen e zonave për prodhimet bujqësore, flet ministri Peci
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Fermerët e vendit kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të krijojë strategji për Bujqësi, të ndahet në zona komuna ose rajoni sa i përket kultivimit të produkteve bujqësore që rekomandon edhe Instituti. Njëjtë kërkojnë edhe disa kryetarë të komunave sikurse edhe ekspertë të bujqësisë. Sipas tyre, duhet të bëhet një dallim i subvencionimit të rrafshit të Dukagjinit me rajone tjera.

Në anën tjetër në Ministrinë e Bujqësisë, thonë se janë duke punuar në kuadër të avancimit të politikave të ministrisë që në proces e sipër të ketë një rajonizim në këtë sektor.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci thotë për KosovaPress se deri në fund të mandatit synojnë të kenë një analizë më të thellë shkencore, duke parë edhe analizën e cilësisë së tokës, dhe faktorët tjerë.

Ai thekson se secili rajon ka me pas top pesë produktet me potencialin më të madh për zhvillim.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi thotë se Rahoveci i plotëson të gjitha kushtet që të shpallet si zonë strategjike e interesit të veçantë për bujqësi.

Se një gjë e tillë duhet të bëhet, thotë edhe Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini.

Kryetari Xheladini ka kërkuar të ndryshohet politika e subvencionimit të fermerëve, siç kërkon ai të bëhet një dallim i subvencionimit të rrafshit të Dukagjinit me atë të Dragashit.

Fermeri, Labinot Shulina, i cili ka rreth 3 hektar vreshta, kërkon nga Ministria e Bujqësisë, që Rahoveci të ndahet si zonë e veçantë për rrush.

Se kjo ndarje është e rëndësishme, e thotë edhe fermeri, Armend Kastrati, i cili merret po ashtu me përpunimin e rrushit.

Sipas tij, Rahoveci duhet të ndahet si zonë e veçantë për kultivimin e rrushit.

Edhe profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci konsideron se Ministria e Bujqësisë duhet të krijojë strategji zhvillimore në kuptimin e rajonizimit të prodhimeve të caktuara bujqësore.

Mes tjerash, Rusinovci vlerëson se kjo formë e ndarjes, do të ishte shtysë e madhe edhe për fermerët.

Lidhur me këtë temë, KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje për këtë çështje edhe nga kryetar të tjerë të komunave, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024