Disa biznese “injorojnë” vendimin për kufizim të orarit të punës, ja sa gjoba u dhanë për një ditë
Lexohet për: 3 min.
ndertimtaria-150724
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Përkundër vendimit të qeverisë që është kufizuar orari i punës për disa kategori, sektori i ndërtimtarisë në disa raste nuk është duke e zbatuar këtë vendim. Nga disa pamje që ka siguruar KosovaPress disa punëtorë në kryeqytet janë duke vazhduar punën e tyre në mënyrë të rregullt, pavarësisht thirrjes së ekzekutivit që nga ora 11:00 deri në ora 17:00 të ndalet puna në këtë sektor për shkak të temperaturave të larta. Ndërkaq, këto shkelje janë konfirmuar edhe nga Inspektorati i Punës. Kryeinspektori në këtë institucion, Hekuran Nikçi ka thënë se vetëm ditën e shtunë janë evidentuar 28 kompani që nuk e kanë respektuar vendimin, për çfarë tha se do të shqiptohen gjoba.

Nikqi thotë se dje dhe sot kanë vazhduar me inspektime, ndërsa shton se në sektorin e ndërtimtarisë kishin gjetur më së shumti shkelje.

Ndërkaq, disa kompani tjera që po respektojnë vendimin, kërkojnë nga qeveria që të subvencionohen, pasi të njëjtit thonë se po dëmtohen.

Kontraktori i një kompanie në vend, Ibish Bardhi thotë se nga ky vendim janë dëmtuar jashtëzakonisht shumë, pasi siç thotë ai, kanë disa projekte që duhet të përfundojnë me datë të caktuar. Ndërsa, ka kërkuar nga shteti që të kompensohen për orët e humbura të punës pas vendimit.

KosovaPress ka dërguar pyetje edhe tek ministritë përkatëse nëse kanë iniciuar ndonjë kërkesë që të kompensohen kompanitë që janë të prekura nga vendimi, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj teme.

Ndonëse e mirëseardhur, ky vendim shihet të jetë edhe i dëmshëm nga njohës të ekonomisë. Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadrija, thotë se qeveria duhet të ndërmarrë hapa të ndihmojë kompanitë që janë prekur në këtë drejtim.

Ndërkohë sektori publik është duke e respektuar vendimin sa i përket lirimit nga puna për kategoritë e caktuara, gratë shtatzëna dhe qytetarët me sëmundje kronike që duhet të punojnë me gjysmë orari.

Kujtojmë se, për shkak të temperaturave të larta ditëve në vijim, ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që të kufizohet orari i punës nga data 13.07.2024 për disa kategori.

Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 lirohen nga puna gratë shtatzëna.

“Në rast të pamundësisë së lirimit nga puna sipas paragrafit 1 të këtij vendimi, gratë shtatzëna punojnë nga shtëpitë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

MSh po ashtu ka marrë vendim që nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë.

Ndërsa, pjesë e vendimit është që në gjithë territorin e Kosovës, puna në ndërtimtari të ndalohet nga ora 11:00 deri në ora 17:00. Po ashtu ndalohet edhe qarkullimi i automjeteve mbi 7.5 ton nëpër rrugët e Kosovës.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka publikuar një listë e sëmundjeve kronike, të cilat mund të konsiderohen me rastin e zbatimit të vendimit.

https://kosovapress.com/personat-qe-kane-keto-semundje-kronike-duhet-te-punojne-me-orare-te-shkurtuar-lista

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024