Në fundjavën e kaluar sporti kosovar u trondit nga dy zhvillime negative. Një përleshje fizike në ndeshjen e hendbollit ndërmjet Trepçës dhe Vushtrrisë ku pati të lënduar si dhe dyshimet e ngritura nga Sigal Prishtina për trukim të rezultatit të përballjes së tyre me Trepçën duke përfshirë gjyqtarët grekë që ishin caktuar për ta ndarë drejtësinë, ngjallën reagime të shumta nga të gjithë akterët e përfshirë.
Për zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, këto ishin dy zhvillime mjaftë shqetësuese. Ajo thotë për KosovaPress se në sportin kosovar nuk ka vend për ngjarje të tilla, derisa konfirmon se këto dy raste tashmë janë duke u hetuar nga prokuroria.
Kosova ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për aplikim për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë në vitin 2030. Organizimi i një ngjarje të tillë, sipas Osmanit, do të shënonte një moment historik për Kosovën. Për këto lojëra, Osmani thotë se Kosova ka aplikuar me një koncept të veçantë.
Investimet në stadiume e palestra sportive Osmani thotë se do të jenë më se të nevojshme në mënyrë që infrastruktura sportive të jetë e gatshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Duke folur për projektin “Kosova, shtet i xhudos”, Osmani tha se zbatimi i tij në teren është në rrugën e duhur. Ajo thotë se ky sport ka filluar të prezantohet nëpër të gjitha shkollat publike në Kosovë.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë do të zgjerohet, por pritet të ndërtohet edhe një qendër tjetër ku kampionët e botës në xhudo mund të vijnë dhe të zhvillojnë kampe stërvitore në Pejë.
“Kjo lloj beteje, konsiderojmë që mënyra e duhur, ajo e rregullta dhe më e mira e mundshme është që të kalojë përmes organeve ndërkombëtare, ku edhe Kosova është anëtare me të drejta të plota”, deklaroi Osmani.