Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për tri të dyshuarit në rastin e sulmit ndaj të moshuarës në qendrën e përkujdesjes “Orenda” në Pejë.
Kështu ka bërë për ditur për KosovaPress, njëri nga prokurorët e rastit, Dorjan Juniku, i cili tha se para pak qastesh ka filluar procedura penale kundër tri të pandehurave.
Prokurori, Juniku tregon se njëra nga të arrestuarat ngarkohet me veprën penale sulm ndërsa të tjera për bashkëkryerje të veprës penale.
“Tre të pandehurat ngarkohen për veprën penale të sulmit nga neni 184 paragrafi tre i Kodit Penal dhe veprën bashkëkryerje e veprës penale”, tha ai.
“Ne konsiderojmë që deri në këtë fazë kemi prova të mjaftueshme për të mbështetur fillimisht dyshimin e arsyeshëm, ashtu që pas përfundimit të hetimit do ta kemi edhe dyshim mirë të bazuar që mund të vëmë në zbatim funksionin e ndjekjes, respektivisht në ngjrisim aktakuzën”, tha ai.
Prokurori Juniku po ashtu tregoi se kanë autorizuar Policinë e Kosovës për intervsitimin e personelit mjekësor të qendës “Orenda”, dhe të moshuarve që vazhdojnë të qëndrojnë aty.