Ashtu sikur në të gjithë botën, edhe në sportin kosovar nuk mungojnë rastet e dhunës dhe abuzimeve në sport, qofshin ato psiqike, fizike apo edhe seksuale. Edhe pse mungon denoncimi publik i tyre, nga federatat dhe Komitetit Olimpik i Kosovës (KOK) thonë se këto dukuri negative po e mundojnë sportin vendor.
Për parandalimin e tyre, KOK-u ka filluar një fushatë vetëdijesimi për federatat, kur ndër të tjera do të kërkohet që secila federatë ta angazhojë një zyrtar për integritet i cili, sipas zyrtares ligjore në KOK, Blerina Imerit, do të shërbejë si adresë për shqetësimet e sportistëve.
Si arsye për mos bërjen publike të rasteve të dhunës në sport, Imeri thotë se është frika nga linçimi publik që mund të iu bëhet personave të përfshirë në raste të tilla.
Ndryshe, zyrtarin për integritet deri më tani e kanë të angazhuar vetëm Federata e Futbollit të Kosovës dhe Federata e Basketbollit.