Shtrenjtimi i energjisë elektrike në masë prej 15.4 për qind do të rrisë koston e prodhimit në sektorin privat dhe pritet të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve në vend. Kështu ka vlerësuar drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Zana Beqiri, e cila kundërshton vendimin e ZRrE-së për ngritjen e tarifave dhe e quan të gabuar.
Përveç kësaj, Beqiri thotë se sfidë mbetet edhe periudha e shkurtër e kthimit të borxhit për furnizimin me energji elektrike.Pakoja e fundit për përballimin me inflacion ishte miratuar në shtator të vitit 2022 në vlerë 150 milionë euro.
Drejtoresha Beqiri thotë se qeveria duhet të hartojë politika zhvillimore për nxitje të punësimit, e jo për shtrenjtimin e rrymës.
Mes tjerash, Beqiri foli edhe për gjendjen e bizneseve ne sektorin privat. Ajo derisa ka përmendur një numër të sfidave që po ballafaqohet sektori privat, thotë se ato po përballën edhe me statusin e kualifikuar dhe të trajnuar. Pasi sipas saj, problem në këtë drejtim është që pas trajnimit, të rinjtë po ikin në vende të ndryshme të BE-së.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) në mbledhjen e fundit ka marrë vendim që tarifat e reja të energjisë elektrike të rriten për 15.4 për qind.
Konsumatorët që konsumojnë 300 kWh rritja do të jetë 2.88 euro, prej 450 kWh fatura mujore do të rritet 4.18 euro. Ata që konsumojnë 600 kWh do të paguajnë 5.49 euro më shumë, ndërsa konsumatorët që harxhojnë deri 800 kWh rritja e faturës do të jetë 7.23 euro. Për konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh do të paguajnë 10. 51 euro më shumë dhe ata që harxhojnë 1200 kWh kanë me paguar 13.8 euro më tepër./E.Krasniqi/