Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka pritur me shqetësim të madh paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për rritjen e çmimit të rrymës 15%.
Ky vendim konsiderohet se është bërë pa konsulta të duhura me bizneset dhe pa një analizë të duhur për pasojat që mund të sjellë kjo rritje te prodhuesit vendës.
Një ngritje e tillë e çmimit, e bën sektorin privat në Kosovë më të pafavorshëm ndaj konkurrencës që vjen nga jashtë dhe kjo mund të përcillet me pasoja të tjera, siç janë ulja e prodhimit dhe e numrit të punëtorëve.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka propozuar që çmimi i energjisë elektrike të rritet me 15 për qind duke nisur nga muaji prill.
ZRRE ka publikuar raportin konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, ku është propozuar shtrenjtimi i rrymës, raporton KosovaPress.
ZRRE fton ndërmarrjet e rregulluara, konsumatorët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara që të shqyrtojnë të dhënat dhe pikëpamjet e përfshira në raportin konsultativ dhe të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre deri më 28 mars 2025.