Dezinformimi rus kërcënon zgjedhjet në Moldavi, thanë zyrtarë të këtij vendi dhe të Shteteve të Bashkuara në ngjarje të ndryshme në Uashington.
Zgjedhjet në Moldavi do të mbahen më 20 tetor dhe do të përfshijnë edhe referendumin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Zgjedhjet do të jenë “historike dhe shumë të rëndësishme” për vendin me 2.5 milionë banorë, ku tranzicioni drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut ishte më i ngadalshëm se në shumë shtete post-sovjetike, tha ambasadori moldav në SHBA, Viorel Ursu.
Ai tha se Moldavia, e cila gjithashtu përballet me rreth 1.000 trupa ruse në rajonin e saj separatist të Transdniestrisë, si dhe me një fluks prej rreth 1 milion refugjatësh nga lufta në Ukrainë, mbetet në një pozicion të cenueshëm, pasi Rusia e përdor si “terren testimi” për dezinformim, që “është i pranishëm kudo dhe është duke u rritur”.
Ai tha se pret shtim të informacioneve të rreme në javën përpara zgjedhjeve, kur nuk do të ketë kohë për t’i demantuar ato.
Këtyre deklaratave u bëri jehonë edhe zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Christopher Smith.
“Ne shohim veprime shumë të qarta nga rusët, për të minuar zgjedhjet dhe referendumin e ardhshëm. Ata po angazhojnë rrjete ndërhyrjesh, të financuara nga shteti rus, të projektuara për t’ia privuar popullit moldav të drejtën për të zgjedhur të ardhmen”, i tha Smith një nënkomisioni të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve.
Kryetari i nënkomitetit, Thomas Kean, tha se Moldavia ishte në rrugë të duhur për t’u bërë një histori suksesi post-sovjetik, por se tani përballet me pyetjen nëse do të vazhdojë në rrugën perëndimore apo do të bjerë përsëri në sferën e ndikimit të Kremlinit.
Rusia përpiqet, gjithashtu, ta minojë pjesëmarrjen në zgjedhje, duke përhapur informacione të rreme se Moldavia do të tërhiqet zvarrë në luftën në Ukrainë, tha ai.
“Është e qartë se [Rusia] po e bën këtë në përpjekje për të siguruar fitoren e një kandidati që mbështet Kremlinin”, tha Smith.
Prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur luftën e Moldavisë kundër korrupsionit dhe përpjekjet e saj për t’iu afruar BE-së me 824 milionë dollarë ndihma, tha Smith.
Për programe të ngjashme, BE-ja i ka ndarë 2.4 miliardë euro Moldavisë që nga viti 2021./REL/