Të rinjtë janë ata që do të përcaktojnë të ardhmen e Kosovës, duke bërë ndryshime rrënjësore në shoqëri.
Kështu u tha në konferencën me temë “Rinia Përpara – Festojmë Fuqizimin e të Rinjve”, në pesë vjetorin e projektit “Up To Youth”, të USAID-it në Kosovë.
Drejtoresha ekzekutive në Global Communities, Carrie Hessler Radalet tha se “UP To Youth”, parasheh botën ku të rinjtë mund të shërbejnë në mënyrë pro-aktive për ndryshimin transformativ brenda komunitetit të tyre. Radalet potencoi se ideja ka qenë që duke ofruar mjetet e nevojshme, mbështetjen dhe duke kultivuar bashkëpunimin, rinia mund të transformohet duke e formësuar shoqërinë me punën e madhe të tyre dhe vizionin që e kanë. Ajo potencoi se sot janë aty për të celebruar faktet e jashtëzakonshme të të rinjve të motivuar, derisa shtoi se duhet vazhduar investimi tek të rinjtë.
Shefja e programit “Up To Youth” të USAID-it, Sadete Kastrati prezantoi rezultatet e punës pesë vjeçare të këtij projekti, për çka tha se janë mbajtur mbi një mijë trajnime me të rinjtë për shkathtësi të buta, të cilat përfshijnë lidershipin, vendimmarrjen, tolerancën e të tjera. Ajo tha se këto trajnime u mbajtën me qëllim që të rinjtë të pajisen me aftësi të nevojshme për të bërë ndryshime pozitive në komunitet. Kastrati potencoi se janë organizuar mbi 100 fushata për të avokuar mbi çështje të ndryshme.