Terroristët që morën pjesë në sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar, ikën në Serbi, ku u priten nga gratë e tyre, motrat dhe anëtarët e tjerë të familjes, por kishte edhe dy automjete të zeza, që kalonin nga policia serbe pa asnjë kontroll dhe ndalim, lëviznin vazhdimisht deri në dy ose tre herë, duke transferuar anëtarët e atij grupi.
Në padinë e ngritur ndaj 45 serbëve të grupit terroristë, të siguruar nga KosovaPress, dëshmitari i mbrojtur thotë se më datë 24.09.2023 rreth orës 09:00 të mëngjesit, ka ecur kodrave të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe rreth orës 10:00, kishte shkuar në Rogozna, që është 500 metra deri në 1 km larg me kufirin e Kosovës.
“Po ashtu, ka shtuar se nuk ka dashur të kaloj pranë tyre, në kryqëzim i kishte anashkaluar dhe kishte dalur 200-300 metra deri në kufi, prej andej ishte drejtuar drejt kufirit, 100 metra para tij, ishte ngjitur në një kodër, ku ka parë gjithë kufirin dhe shumë pjesë të territorit të Kosovës. Prej aty ka parë që shumë prej tyre vinin nga Manastiri i Banjskës dhe se në kthim i prisnin dy automjete të zeza të markës Dacia, të cilat po vinin në drejtim të tyre dhe ishin të pista dhe të lagura nga shiu. Këto dy vetura normalisht kalonin nga policia serbe pa asnjë kontroll dhe ndalim, lëviznin vazhdimisht deri në dy ose tre herë, duke transferuar anëtarët e atij grupi. Pasi kishte kaluar grupin e parë, pas 200 metrash në territorin e Serbisë, kishte takuar 4 (katër) deri në 5 (pesë) automjete Fiat 500L, pa targa, të njëjtat vetura që kishin qenë në barrikada në Lesak dhe Leposaviq dhe të cilat i përkasin të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”. Po ashtu, ka deklaruar se numri i personave të uniformuar që kanë lëvizur nga Kosova në Serbi, ka qenë rreth 25 persona.Gjithashtu, ka shtuar se dihet mirë se pas këtij grupi qëndron Milan Radojçiq, pasi që publikisht e ka marrë atë përgjegjësi, si dhe beson se ai grup është furnizuar me armatim dhe pajisje personalisht nga Serbia, nga duart e privatëve, sepse armët blihen lehtë në Serbi, 200-300 euro mund të blesh një kallashnikov. Ai ka shtuar se ky grup funksionon me pak se një vit para sulmit dhe të gjithë personat që punojnë në Ushtrinë e Serbisë nga Leshaku, Leposaviqi dhe Mitrovica, kanë marrë pjesë në aksionin apo sulmin në Banjskë”, thuhet në padi.
Kurse një dëshmitarë tjetër i mbrojtur, ka treguar se si Milan Radojçiq i ka organizuar këta persona dhe personat e tjerë në Serbi të cilët i ka ushtruar, i ka përgatitur me armatim të lehtë dhe të rëndë, të cilët një kohë të gjatë kishin ushtruar në Serbi dhe shumicën prej tyre Milani i ka paguar nga 2.000 euro në muaj përmes parave kesh, për t’i përfshirë në këtë grup. Ata fillimisht i kanë thënë se kanë shkuar me idenë që të çlirojnë pjesën veriore nga Kosova, po ashtu me qëllim që serbët e kësaj pjese të shkëputën nga Kosova, pastaj një natë përpara sulmit Milani i ka thirrur në takim dhe kanë hyrë po të njëjtën natë para agimit diku rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe nga aty ka filluar sulmi.