Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e dërgon vendin në zgjedhje të reja.
Ai, para fillimit të seancës së jashtëzakonshme për rrymën, tha se Kurti nuk dëshiron ta zgjedh presidentin, mirëpo, siç shtoi, po mashtron me ofertat karshi LDK-së dhe PDK-së.
“AAK-ja nuk e konsideron të mbyllur, për ne është e hapur pasi është detyrë e jona me zgjedh presidentin. Këtë çështje të mbyllur e konsideron Kurti. Si ndodh marrëveshja për president? Kur e ka bërë qeverinë, e ka pasur opsion me bërë koalicionin jo vetëm për qeveri por edhe për presidentin. Këto janë ngjarjet që mundesh me bërë marrëveshje politike për përgjegjësi të caktuara, por nuk e ka bërë. Këto janë kalkulime dhe mashtrim i pastër. Nuk ka ofertë për asnjë parti opozitare, më besoni, as për PDK-në dhe as për LDK-në. Këto janë lojë fjalësh me harxhu kohën deri në ditën kur shpallen zgjedhjet”, tha ai.
Madje ai përmendi edhe, siç tha, pakon e re ekonomike që po e përgatit kreu qeveritar për fushatë zgjedhore.Në anën tjetër, ai tha se AAK-ja do të kalojë pragun zgjedhor, madje do të ketë rezultat befasues.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja.