Avokati i Thaçit ballafaqon dëshmitaren serbe me deklaratat e kaluara: Civilët serbë ishin të armatosur
Lexohet për: 8 min.
kehoe-170823
1 vit më parë
Linku u kopjua

(E përditësuar) Avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe, e ka ballafaquar dëshmitaren e prokurorisë, Dragica Bozhaniq, me deklaratat e saj të mëparshme të cilat i ka dhënë në procese të tjera gjyqësore. Pas kësaj, ajo ka pranuar se civilët serbë në fshatin e saj ishin të armatosur nga Serbia, para ngjarjes kur ajo thotë se UÇK kishte sulmuar banorët.

Ishte Kehoe avokati i vetëm nga mbrojtësit e katër të akuzuarve, i cili e ka intervistuar dëshmitaren e shtatëmbëdhjetë të prokurorisë.

Ai e ka pyetur atë rreth armëve dhe municionit që kishin serbët në fshatin e saj.

Ajo fillimisht ka thënë se autoritet serbe u kishin dhënë armë civilëve serbë në Kosovë në një periudhë më të hershme se ngjarja e vitit 1998 për të cilin ajo ka dëshmuar para turpit gjykues në Hagë.

Pjesë nga dëshmia:

Avokati Kehoe: Ditën kur ndodhi incidenti, shumë prej serbëve në fshat erdhën te shtëpia juaj, apo?

Dëshmitarja Bozhaniq: Po.

Avokati Kehoe: Kur ata erdhën në shtëpinë tuaj, ata kishin marrë me vete edhe armët që u kishin dhënë autoritet serbe, kështu?

Dëshmitarja Bozhaniq: Nuk e kam parë këtë.

Avokati Kehoe: Por ti e ke parë që ata kishin marrë pushkë apo armë me vete, e ke parë këtë gjë apo jo?

Dëshmitarja Bozhaniq: Nëse i kanë pasur me vete, i kanë pasur, por unë nuk i kam parë, vetëm kur filluan të shtënat, unë e mora vesh që ata kishin armë.

Gjatë kësaj bisede, avokati Kehoe ka lexuar një dëshmi që Bozhaniq e kishte dhënë në Beograd në vitin 2011, ku ajo kishte theksuar se të gjithë banorët serbë që kishin shkruar në shtëpinë e saj një natë para incidentit, ishin të armatosur.

"Gjykatësi në Beograd ju pyet, më tregoni burrat a kishin armë më vete, dhe përgjigja që ju jepni është 'po kishin'. Nga i kishin gjetur armët, përgjigja, 'burri im nuk kishte armë, por ai nuk ishte me ushtrinë, as djali im nuk kishte, ndërkohë Nevica ishte oficerë rezervë i policisë në Rahovec, në Xerxë, edhe axha im kishte armë, ata kishin armë'. Pastaj gjykatësi ju pyet kush i kishte armët, më thoni emrat? Ti thua 'Nevica', por tjetër kush kishte armë, Dhe ti thua, 'Nevica kishte një armë që ishte dhënë nga forcat rezervë. Edhe fqinjët kishin disa armë'...Për të gjithë individët që të pyet kryegjykatësi në Beograd, nëse kishin armë me vete përgjigja që ju keni dhënë është 'po, ata kishin armë me vete", ka thënë avokati Kehoe.

Kjo është pohuar pastaj nga dëshmitarja.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Me këtë ka përfunduar dëshmia e saj dhe procesi gjyqësor do të vazhdojë me 28 gusht me dëshmitarin e radhës.

Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar shtatëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, vetëm tre prej tyre pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

....................

(E përditësuar) Dëshmitarja serbe kundër Thaçit dhe të tjerëve flet për periudhën e korrikut 1998 në komunën e Rahovecit

Dëshmitarja e shtatëmbëdhjetë kundër Thaçit dhe të tjerëve ka folur për periudhën e korrikut të vitit 1998 në komunën e Rahovecit. Ajo pretendon se UÇK kishte sulmuar familjen e saj dhe banorët përreth për t’i larguar nga shtëpitë e tyre e mbajtur pastaj të ndaluar, sipas saj, burrat veç e gratë veç. Dragica Bozhaniq ka thënë prej asaj periudhe nuk di asgjë për djalin dhe burrin e saj.

Në fillim të seancës, prokurori Cezary Michalczuk e ka pyetur dëshmitaren me kodin 00072 rreth deklaratave të saj të mëparshme.

Ai ka përmendur një intervistë të 16 dhjetorit të vitit 2016, 10 dhjetor 2005 dhe 17 korrik 2013.

Derisa ka bërë të ditur se në seancën përgatitore të mbajtur me këtë dëshmitare në korrik të këtij viti, prokuroi ka thënë se dëshmitarja ka pasur mundësi të bëjë korrigjime në deklaratat e saj.

Pas kësaj, prokuroi e ka pyetur atë nëse qëndron prapa atyre deklaratave dhe nëse do të përgjigjej njësoj sot para trupit gjykues, për çka dëshmitarja ka pohuar.

Prokurori Cezary Michalczuk ka kërkuar pranimin e deklaratave të mëparshme në bazë të rregullës 154.

Ai ka lexuar një përmbledhje të dëshmisë së kësaj dëshmitare, të cilën ka thënë se ua ka dërguar palëve më 14 gusht 2023.

“Në korrik të vitit 1998 Dragica Bozhaniq jetonte me familje në fshatin e saj në komunën e Rahovecit. Gjatë natës duke u gdhirë 18 korriku i vitit 1998, dëshmitarja dhe anëtarët e familjes, anëtarët e tjerë të komunitetit serb në fshatin e saj u sulmuan nga UÇK në banesat e tyre. Në mëngjesin e 18 korrikut 1998 serbët e fshatit të saj u dorëzuan, ju dorëzuan UÇK-së dhe i çuan me veturë në një fshat afër, ku mbërritën atje UÇK i ndau burrat nga gratë, te burrat ishte djali dhe bashkëshorti i dëshmitarit që çuan në bodrumin e një shtëpie ndërsa gratë ishin në të njëjtën banesë por në aktin e sipërm. Dëshmitarja dëgjonte që burrat serbë i rrihnin, dëshmitaren e morën në pyetje UÇK-së për kushëririn dhe djalin që kishin shërbyer në ushtrinë serbe”, ka lexuar ai.

Bozhaniq ka thënë se bashkëshorti i saj ka qenë mësues dhe drejtor shkolle.

Sipas saj, ai nuk ka qenë asnjëherë në ushtri për shkak të një sëmundje me veshkëmm derisa ka theksuae se ai kishte raporte të mira me shqiptarët e fshatit.

Pas kësaj, një person është përmendur në seancë private për të cilin, dëshmitarja ka thënë se është shoqëruar me familjen e saj.

Me të njëjtin person, dëshmitarja ka thënë se ishin marrë vesh që të ndihmonin njëri tjetrin në rast se do të ndodhte diçka në fshat.

Derisa ka folur për periudhën e korrikut të vitit 1998, dëshmitarja ka përmendur ndalimin që sipas saj u ishte bërë atyre.

Gjatë kësaj dëshmie, dëshmitarja ka thënë se ajo dhe gratë e tjera, që sipas saj ishin të ndaluara, ishin liruar nga Kryqi i Kuq.

Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitarja është intervistuar edhe nga avokati i viktimave, Simon Laws.

Atij ajo i ka konfirmuar se nuk jeton më në Kosovë derisa ka theksuar se nuk do të kthehej në asnjë mënyrë, sipas saj, për shkak të asaj që ka kaluar .

Seanca po vazhdon me pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi, avokatit Gregory Kehoe.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

....................

Dëshmitarja në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve po dëshmon pa masa mbrojtëse

Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon intervistimi i dëshmitarit të shtatëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ajo është Dragica Bozhaniq dhe po dëshmon pa masa mbrojtëse në seancë publike.

Trupi gjykues ka bërë të ditur se synojnë që dëshmia e saj të përfundojë sot ndërsa ajo ka filluar të përgjigjet në pyetjet e prokurorit Cezary Michalczuk.

Këtë dëshmi, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi po e përcjellin përmes video lidhjes nga qendra e paraburgimit, ndërsa Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar gjashtëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, vetëm dy prej tyre pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025