Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Dëshmitari që mban numrin 11 në seancën me kundër pyetjet e ekipit mbrojtës të Shalës ka thënë se në vitin 1999 nuk e ka njohur Pjetër Shalën.
Vazhdimi i dëgjimit të këtij dëshmitari me pyetjet e avokatit të Shalës, është vijuar në disa raste në seancë private. Avokati mbrojtës i Shalës e ka pyetur për vendin ku janë mbajtur dhe për diskutimin që kishte pasur me Xhemshit Krasniqin.
Louis Gilissen: Në vitin 1999, a e njihnit ndonjë që quhej Pjetër Shala, ku ishit në fabrikën e metalit në Kukës?
Dëshmitari: Jo”, u përgjigj ai.
Derisa avokati e ka pyetur dëshmitarin se a është tifoz futbolli, seanca është mbajtur e mbyllur.
Pas kthimit në seancë publike, dëshmitari ka folur për vendin se ku kanë fjetur.
Dëshmitari: Po, kemi pasur. Vetëm në një periudhë një-ditore na janë hequr prej dhomës.
Louis Gilissen: Po dhe atë që unë quaj ‘u zhdukën batanijet’ dhe dyshekët, a keni diskutuar këtë çështje me Xhemshit Krasniqin, pra fakti që janë zhdukur dyshekët dhe batanijet?
Tutje, dëshmitari tha se Xhemshit Krasniqi nuk ishte në dijeni për heqjen e dyshekëve dhe batanijeve nga dhoma ku po mbaheshin.
Derisa është pyetur për lëndimet që ka marrë, dëshmitari i ZPS-së ka pretenduar se këto ishin të dukshme dhe as për këtë nuk ishte në dijeni Xhemshit Krasniqi. Ai ka theksuar se pas diskutimit me të, nuk është rrahur më.
Dëshmitari: Po.
Louis Gilissen: A mund t’i shpjegoni trupit gjykues se çfarë ndodhi dhe çfarë diskutuar me zotëri Krasniqin, si ndodhi?
Dëshmitari: Ai më bëri pyetjen se kush më ra dhe a e kam parë atë person që më ka ra, i thash që ‘jo nuk e kam parë, nuk e kam njohur, e kam pasur kokën ulët dhe për një moment dhe për një moment e kam ndjerë dhimbjen në sy’”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.
Në lidhje me intervistimin nga Osman Kryeziu në fabrikën e metalit në Kukës, dëshmitari pretendoi se ai i kishte thënë se ‘është i befasuar që ai është brenda’.
Dëshmitari i mbrojtur ka shtuar se ai ishte liruar pas dy jave, prej kohës kur ishte intervistuar.
Louis Gilissen: ‘Ishte shumë i befasuar kur i thash, ai tha se kuptoj pse je këtu dhe më pyeti a jeni intervistuar, unë i thash jo dhe të nesërmen unë shkova në shtëpi’. Kjo është pikërisht, këtë dua që dëshmitari të më komentojë, për këtë fjalinë e fundit?
Gjykatësja: Zotëri dëshmitar, a ju kujtohet që jeni liruar të nesërmen?
Ky është dëshmitari i gjashtë i mbrojtur i ZPS-së kundër Pjetër Shalës i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.
Pjetër Shala e ka ndjekur këtë seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./Sh.Pajaziti/