Menjëherë pasi dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) e përfundoi dëshminë pasditen e së hënës, filloi të dëgjohet dëshmitari i radhës në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve. Edhe në këtë rast po aplikohen masa mbrojtëse duke mos e shfaqur në publik identitetin e tij.
Pyetjet e para të prokurorit James Pace vijuan në seancë private, meqë siç tha ai, kanë të bëjnë me identitetin e dëshmitarit. Ai prezantoi disa dokumente në ekranin e gjykatores, por të njëjtat nuk janë bërë publike.
Pas kësaj seanca përfundoi për të vazhduar sot (e martë) me dëshminë e këtij dëshmitari i cili mban kodin 3811. Dëshmia e tij pritet të dëgjohet për një ditë e gjysmë.
Paraprakisht është dëgjuar dëshmitari 3540 i cili ka folur për periudhën e vitit 1998 kur edhe pretendon se ishe ndaluar nga UÇK. Ai ka thënë se ka punuar roje pylli kur sipas tij ishte ndaluar nga ushtarë të UÇK-së.
Dëshmia ka përfunduar brenda ditës dhe është dhënë kryesisht në seancë të hapur për publikun, por me masa mbrojtëse duke mos shfaqur identitetin e tij.
Pas përfundimit të dëshmisë së tij, kryegjykatësi Charles Smith ka urdhëruar ZPS-në që t’i jap trupit gjykues, palëve dhe pjesëmarrësve, listën e 12 dëshmitarëve nga lista e 40 prej tyre dhe ta dorëzojë këtë deri të premten, 30 qershor 2023 në orën 16:00
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.