Kërkesa për zgjedhjen e një presidenti jopolitik është absurde, thotë deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi. Një ditë pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kërkoi që presidenti i ardhshëm të jetë një person jopolitik, Abrashi deklaron se pozita e të parit të vendit është politike dhe nuk mund të bëhet president një person i cili nuk është politik. Ndërkaq, shton se për çështjen e neutralitetit të presidentit pastaj mund të ketë këndvështrime të ndryshme.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.
“Kërkesa në vetvete është një absurd. Pozita e presidentit është mjaft politike dhe ne nuk mund të gjejmë një person i cili nuk është politik. Sa i përket çështjes së neutralitetit kemi këndvështrime të ndryshme dhe kësaj… Është legjitime që ata që pretendojnë pozitën e presidentit të fillojnë një fushatë për të marrë një mbështetje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi të njëjtit e votojnë dhe zgjedhin presidentin e Kosovës. Nuk ka diçka të keqe këtu edhe nëse zonja Osmani angazhohet në këtë drejtim”, thekson ai.
Megjithatë, Abrashi, duke folur për mbështetjen ose jo të kandidaturës së Vjosa Osmanit për presidente, thotë se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e hapur për të gjitha opsionet.
“Mbeten opsionet e hapura. Natyrisht çështja e kandidaturës së zonjës Osmani do të trajtohet, por pa u mbledhur forumet tona vendimmarrëse nuk është se mund ta them një qëndrim zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket çështjes së presidentit. Për neve është e rëndësishme ta kryejmë këtë rend të gjërave që theksova dhe pastaj, kur të vjen puna te propozimi i emrit të presidentit, do të jemi të gjithë në njohuri”, deklaron Abrashi.
Krahas kësaj, Abrashi është optimist se posa të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, do të thirret shpejt seanca konstituive dhe të njëjtën ditë do të konstituohet legjislatura e dhjetë dhe do të formohet qeveria e re.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ka marrë 51.11 për qind të votave, apo 57 deputetë.
Megjithatë, sa i përket mundësisë së një koalicioni me LDK-në, Abrashi thotë se një gjë e tillë nuk është diskutuar ende në strukturat partiake, mirëpo shton se së bashku me minoritetet kanë mjaftueshëm deputetë për të formuar qeverinë.
Duke folur për diskutimet me komunitetet joserbe për të formuar shumicën parlamentare, Abrashi thotë se të njëjtit janë në mbështetje për formimin e qeverisë Kurti III.
“Nuk është se ka kontakt zyrtar, por po i shohim çdo ditë deklaratat e tyre. Përfaqësuesit e partive nga komunitetet joserbe tashmë deklarohen në mbështetje dhe votim të qeverisë së Kosovës. Konsideroj se nuk do të ketë ndonjë pengesë në këtë drejtim”, përfundon Abrashi.