Deputeti e ndjen krizën edhe pse me “pagë të kënaqshme”
Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Dashnor Sula në një intervistë për Euronews Albania, tha se pavarësisht se ka një pagë të kënaqshme si deputet, e ndjen krizën ekonomike, teksa shtoi se sa e vështirë është përballimi i kësaj situate nga shtresat në nevojë.
“Arsyet më të mëdha, tani të jemi të sinqertë, duhet ta kuptojmë. Unë personalisht kam një pagë shumë të kënaqshme krahasuar me të tjerët. Bashkëshortja, kemi profesion privat dhe kemi mundësi me biznesin që kemi. Kur e ndjejmë ne, imagjino shtresat në nevojë, imagjino pensionistët, imagjino policët. Çfarë mund të bësh me 500, 700, 800 mijë lekë? Demonstrimi që bëra me shportët ishte, 30 mijë lekë produkte për 2-3 ditë, a mund t’ia dalësh dot?”, theksoi ai.
Pak javë më parë, Sula kërkoi që qeveria të indeksojë çmimet e ushqimeve, pasi për qytetarët janë të papërballueshme.