Deputetët e opozitës përplasje në Kuvend, nxjerrin jashtë dhe djegin karriget
Lajme
Lexohet për: 2 min.
atshh
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Kuvendi i Shqipërisë nisi këtë të hënë seancën plenare ndërsa deputetët e opozitës u rreshtuan para foltores në shenjë proteste pas arrestimit të deputetit të PD-së Ervin Salianji.

Garda e Republikës u rreshtua para foltores ndërsa deputetët hodhën sende drejt kryeparlamentares Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vijoi seancën duke njoftuar vakancën e krijuar pas arrestimit të Salianjit për kallëzim të rremë për dosjen “Babalja”.

Në lidhje me urdhrin e ekzekutimit të vendimit penal për deputetin Salianji, Spiropali tha se rregullorja e Kuvendit nuk parashikon mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në rastet kur mandati i deputetit mbaron për shkak të dënimit me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Pas shpalljes së vakancës, Kuvendi njofton KQZ për zëvendësimin e deputetit.

Pas përplasjes dhe bllokimit të foltores, deputetët e opozitës kanë nxjerrë karriget jashtë sallës së Kuvendit dhe iu kanë vënë flakën.

Flakët për një moment dolën jashtë kontrollit duke kërcënuar hyrjen e parlamentit. Garda fiku flakët.

Pas djegies së karrigeve, deputetët e opozitës u rikthyen sërish në seancë. Spiropali u bëri thirrje deputetëve të opozitës t’ i rikthehen normalitetit. Ajo deklaroi se Kuvendi nuk ka lidhje me vendimet e gjykatave.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Niko Peleshi kërkoi ndërprerjen e seancës, kërkesë kjo që u miratua nga kryeparlamentarja, e cila njoftoi 10 minuta pushim./ATSH

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024